e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Serbi-Shqiperi, UEFA shtyn per neser vendimin: Dosjet voluminoze

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Serbi-Shqiperi, UEFA shtyn per neser vendimin: Dosjet voluminoze

Shtyhet për nesër vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Lajmi konfirmohet nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ndodhet në Nion të Zvicrës për të mësuar mbi verdiktin e Komisionit të Disiplinës dhe të Etikës të UEFA-s.

Kjo e fundit, pritej të jepte sot vendimin final për rezultatin e ndeshjes dhe dënimet e mundshme ndaj kombëtareve të dy federatave.

Sipas UEFA-s, shkak i shtyrjes kanë qenë dosjet voluminoze të dy federatave për t’u shqyrtuar nga ana e anëtarëve të komisioneve përkatëse në këtë organizëm. Qeveria e futbollit evropian ka kërkuar më shumë kohë për të analizuar  faktet, provat filmike, incidentet dhe videot e ndryshme gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre në minutën e 41-të pas ngritjes në stadium të një droni të telekomanduar që mbante flamurin e Shqipërisë së Madhe, gjë që solli dhe dhunën e tifozëve ndaj lojtarëve kuqezinj.

UEFA ka vënë nën hetim Shqipërinë për mos rikthimin e kuqezinjve në fushë dhe vazhdimin e lojës pas ndërprerjes në minutën e 41’, si dhe për flamurin e telekomanduar me dron mbi stadiumin e Beogradit, për të cilin deri më tani nuk ka autorësi.