e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Selman Stermasi' ne rikonstruksion total, ne shkurt gati

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Selman Stermasi' ne rikonstruksion total, ne shkurt gati

Prej disa ditësh në stadiumin "Selman Stërmasi" në kryeqytet kanë nisur punimet shndërrimin total të tij dhe rikthimin në funksionalitet të plotës. Në impiant po punohet për ndërrimin e tapetit, rregullimin e tribunës qendrore dhe asaj përkarshi si dhe për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme. Mësohet se punimet po ecin me ritëm të shpejtë, madje parashikohet që në fund të muajit shkurt gjithçka të jetë gati, dhe në muajin mars Tirana të mund t'i zhvillojë ndeshjet brenda në stadiumin e saj.

Sipas projektit, është parashikuar që në tribunën përballë të shtohen disa shkallë, që do të rrisin edhe kapacitetin e impiantit, ndërsa në tribunat anësore ndërhyrjet do të jenë sipërfaqësore, më shumë me karakter estetik. Ideja e drejtuesve të Tiranës është që "Selmna Stërmasi" të marrë licencën për ndeshjen ndërkombëtare, pasi objektivi i bardhebluve është pjesëmarrja në çdo sezon në kupat e Europës. Ndërkohë ndërhyrje po bëhen edhe në stadiumin “Qemal Stafa”, të cilit do t’i ndërrohet tapeti, një projekt ky i financuar nga klubi i Tiranës dhe Partizanit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Parashikohet që firma fituese e tenderit të vendosë brenda 10 ditëve tapetin e ri, që gjithçka të jetë gati për pjesën e dytë të sezonit. Në Shkodër kanë nisur punimet edhe për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”. Të gjitha këto ndryshime pritet të rrisin cilësinë e Superligës.