Schweinsteiger tek United, arrihet marreveshja me Bayernin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bastian Schweinsteiger sezonin e ardhshëm do të jetë një lojtar i Manchester United.
Sipas të përditshmes Bild, mesfushori i Bayernit ia ka bërë të qartë Pep Guardiolës se dëshiron të transferohet në Premier League, madje 30-vjecari është nisur drejt Manchesterit për të kryer testet mjekësore e më pas për të firmosur një kontratë 3-vjecare me “djajtë e kuq”, në bazë të së cilës do të përfitojë 10 milionë Euro në vit, ndërsa United do të derdhë në arkat e klubit bavarez nga 18 -20 milionë Euro.
Sipas Bild, ka qenë këmbëngulja e trajnerit holandez Luis Van Gaal faktori kryesor që bëri të mundur arritjen e një marrëveshjeje.
Trajneri i United e ka stërvitur Schveinin kur drejtonte bavarezët dhe e vlerëson shumë për cilësitë e tij. Bastian Schveinsteiger është një prodhim i akademisë së Bayernit, ndërsa prej 12 vjetësh është pjesë e skuadrës së parë, ku gjithmonë ka patur një rol protagonisti. Me bavarezët ka mundur të fitojë 8 tituj kampionë të Bundesligës, 7 Kupa të Gjermanisë, një Champions, Superkupën e Europës, dhe një Botëror Klubesh, ndërsa me Gjermaninë është shpallur kampion bote në “Brazil 2014″. Me Bayernin ka zhvilluar në total 500 ndeshje dhe ka shënuar 67 gola.