Salihi vjen me gol drejt Shqiperise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hamdi Salihi ka shënuar golin e tij të 6-të në kampionat me fanellën e skuadrës kineze të Jiangsu Sainti, duke u konfirmuar në një formë të mirë para grumbullimit me përfaqësuesen shqiptare të futbollit për ndeshjen ndaj Norvegjisë. Golashënuesi shkodran, këtë radhë ka shënuar në minutën e 92-të të sfidës kundër Hangzhou, duke i dhënë suksesin 2-1 ekipit të tij, për ta ngjitur disi në klasifikim, pas atij fillimi të dobët të kampionatit. Salihi u transferua në Kinë duke shkuar te skuadra e cila u shpall nënkampione një sezon më parë dhe ndihmoi ekipin të fitonte Superkupën e Kinës. Por më pas skuadra pësoi rënie të ndjeshme në formë e rezultate dhe e pa veten shumë pranë fundit të tabelës së klasifikimit. Falë golave të Salihit, Jiangsu ka 14 pikë dhe është tashmë në mesin e tabelës, ndonëse nuk ka më pretendime për titull pasi vendi i parë ka 32 pikë, pas 12 ndeshjesh të luajtura.