e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Salihi percakton ritmin, Shetel: Sulmues gjenial

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Salihi percakton ritmin, Shetel: Sulmues gjenial
Hamdi Salihi edhe një herë ka treguar të shtunën se është golashënuesi më efektiv i Rapidit të Vjenës, pasi realizoi golin e parë të ndeshjes ndaj Admira Vakner, pas 24 sekondash në fushë, ku kishte hyrë si zëvendësues. Pas fitores 2-0, ku ai dha edhe një asist për Nuhiun, sulmuesi shqiptar po e kalonte ditën e pushimit dhe që andej, nëpërmjet gazetës austriake “Kurier”, dërgon një dedikim krejt të ndryshëm nga ai që kishte dhënë për mediat shqiptare: “Golin tim ia dedikoj Lorencos, djalit të Salvos. Këtij shoku ia kisha premtuar që do të shënoja. Tani Rapidi ka një tifoz më shumë”, - ka theksuar Salihi, i cili për gazetat shqiptare kishte thënë se golin ia dedikonte babait të tij, që të shtunën kishte ditëlindjen.

Megjithatë, çështja interesante ka të bëjë me faktin se Salihi e ka ruajtur statusin e tij si sulmuesi më efektiv i Rapidit. Si fillim trajneri Peter Shëtel e kishte ideuar sulmin e tij me Deni Alar në qendër të sulmit dhe Guido Burgshtaler pas tij. Salihi ishte vënë në pikëpyetje dhe mund të konsideroj i larguar nga Rapidi, i cili e kishte nxjerrë në shitje. Por kur sulmuesi i Kombëtares shqiptare e lajmëroi trajnerin e ri se nuk kishte ndërmend të merret parasysh ofertat që kishin ardhur, e detyroi Shëtelin të merrte në konsideratë 18 golat që Salihi kishte shënuar në sezonin e kaluar.

“17 herë Salihit i është nevojitur vetëm një kontakt për golat e tij. Kjo është një cilësi gjeniale”, - ka thënë dje trajneri. Atij i mjaftuan vetëm 24 sekonda, pasi ishte futur në vendin e Alar, për të zhbllokuar ndeshjen. Roli i “Zholit” duket se nuk po i hiqet më Salihit që nga epoka e Pakultit. Si ish-trajneri, gjithashtu edhe Shëtel kërkon që Salihi të punojë më shumë për skuadrën. “Isha i lodhur, pasi isha stërvitur më pak se të tjerët, por tani jam gati për të luajtur që nga minuta e parë”, - dëshiron të qartësojë Salihi, i cili duket se kështu do të mund të hapë një polemikë me teknikun Shëtel.