e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Salihi: Nje skuader ‘big’, ose fitoj trofe me Rapidin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Salihi: Nje skuader ‘big’, ose fitoj trofe me Rapidin
Etiketimi i dikurshëm nga Oto Bariç si “Gerd Myleri shqiptar” vazhdon ta shoqërojë në karrierën e tij në Austri. Megjithatë, Hamdi Salihi e ka justifikuar gjithmonë cilësimin si “bomber” me golat e shënuar. Ai e nisi kampionatin me gol në sfidën që Rapidi i Vjenës fitoi me Admirën. Por kjo nuk ka mjaftuar që tekniku Shëtel ta aktivizojë si titullar 27-vjeçarin, që gjatë sezonit të kaluar ka realizuar 28 gola në 52 ndeshje, duke u shpallur edhe si golashënuesi më i mirë i Kupës së Austrisë me 6 gola. Në fillim të javës Salihi mori trofeun e golashënuesit, ndërsa flet për situatën aktuale që po kalon dhe merkaton.

Hamdi, sa rëndësi ka trofeu i golashënuesit, pas një sezoni pa asnjë kupë?

Është një sukses i madh për mua, megjithatë do të preferoja që gjatë sezonit të kaluar Rapidi ta fitonte Kupën e Austrisë. Çfarë kuptimi ka që unë realizoj gjashtë gola, por më pas largohemi duarbosh? Trofeu do të jetë një suvenir i bukur nga aventura me Rapidin, por në këtë sezon dua të fitoj një trofe.

Rapidi e ka nisur mjaft mirë Bundesligën austriake…

Në dy ndeshjet e para, gjithçka ka funksionuar më së miri për ne. kryesojmë me 6 pikë, kemi shënuar 4 gola dhe nuk kemi pësuar asnjë. Por përpara na presin sfida të vështira me Riedin, Shturmin, Austrian dhe Salcburgun.

Në javët e para jeni aktivizuar shumë pak: vetëm 27 minuta kundër Admirës, ndërsa kundër Viener Nojshtadt qëndruat në stol…

Ashtu si çdo lojtar tjetër, natyrisht që edhe unë dëshiroj të luaj 90 minuta, pavarësisht nëse në ndeshjen e mëparshme jam paraqitur mirë apo keq. Jam vetëm njëri prej 25 futbollistëve profesionistë që aktivizohen te Rapidi, ku të gjithë kërkojnë një fanellë titullari. Megjithatë, zgjedhjet janë vetëm të trajnerit.

Deri më tani, zgjedhjet e trajnerit kanë qenë të goditura?

Po, deri më tani gjërat kanë funksionuar mjaft mirë, pra trajneri ka të drejtë. Megjithatë unë nuk e humbas besimin dhe stërvitem fort çdo ditë. Kur të më jepet shansi, do të jap maksimumin. Nuk ka rëndësi nëse luaj titullar, apo vetëm një minutë.

Fakti që në dy sezonet e fundit në Austri keni shënuar 17 dhe 18 gola në kampionat, ndoshta ju jep të drejtë që të pretendoni të jeni në formacion?

Natyrisht që kjo nuk është një situatë e lehtë për mua. Por, një lojtar i mirë duhet të jetë i fortë edhe psikologjikisht. Do të jem gati kur trajneri të ketë nevojë për mua. Mund ta përballoj këtë presion.

A e dini arsyen përse sulmuesit e tjerë preferohen përpara jush?

Nuk jam tipi që bëj shumë pyetje. Nëse trajneri merr një vendim, unë nuk e diskutoj.

Në fillim deklaruat se donit të fitonit me Rapidin, por ofertat në merkato dhe qëndrimi në stol mund t’ju largojnë nga Rapidi…

Normalisht që është kohë transfertash dhe interesimi nuk ka munguar. Kam marrë disa oferta konkrete, nga klube të ndryshme. Por nuk më pëlqyen. Gjithmonë e kam thënë se nga Rapidi do të largohesha vetëm për një klub të madh.