Saki: Berluskoni nuk ka shpenzuar shumë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arigo Saki ishte trajneri i parë i suksesshëm i epokës "Berluskoniane". Një bast i fituar 100% nga ana e presidentit të kuqezinjve.
Në CV-në e tij, italiani numëron 1 Kampionat, 1 Superkupë Italie, 2 Kupë Kampionësh dhe 2 Kupa Interkontinantale. Ishtrajneri i kombëtares italiane, gjatë një interviste për "Reppublica", e ka analizuar qeverisjen 30-vjeçare të "Kavalierit" në krye të klubit kuqezi në këtë mënyrë: "Berluskoni ishte revolucionari i parë i futbollit italian.
Kur 30 vite më parë zbarkoi në Itali, presidentët e asokohe nuk kishin të njëjtin mentalitet me të. Silvio mendonte dhe vepronte si një biznesmen, të tjerët ishin akoma artizanë.
Kur kuptova se ishte vërtet i vendosur për të më besuar stolin e Milanit, i thashë: 'Ju jeni ose i çmendur, ose një gjeni'". Sot, futbolli është i dominuar nga klubet që bëjnë investime të mëdha në merkato, dikur edhe Berluskoni ndante të njëjtën filozofi. Mirëpo, lidhur me këtë temë, Saki nuk pajtohet plotësisht: "Duhet të kuptoni se Berluskoni, ndryshe nga sa flitet, ka investuar shumë herë më pak se kolegët e tij, të paktën gjatë kohës kur unë kam qëndruar te Milani.
Kur blemë Rajkardin për 5 miliardë lireta, Berti u transferua tek Interi për 7.5 miliardë. Me gjithë respektin që kam për të, midis të dyve nuk ka krahasim. Ançeloti, i cili sipas të gjithëve ishte një futbollist i 'mbaruar' për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar gjatë karrierës, i kushtoi Milanit vetëm 4 miliardë lireta, ndërsa Donadoni 1.2. Për të mos folur më pas për Van Basten, i cili u transferua te ne me kosto zero, pasi ishte në fund të kontratës me klubin holandez".
Merkato
Në fjalën e tij, Saki ka shpjeguar edhe sesi Milani operonte në blerjen e futbollistëve: "Për lojtarët, vendosja gjithmonë unë, por di të them se Galiani ishte fantastik, një drejtues i nivelit të lartë, me pak fjalë, më i miri në botë në rolin e tij. Sot, ai kritikohet padrejtësisht nga një pjesë e tifozëve të Milanit, të cilët hedhin baltë mbi një legjendë që dashuron ngjyrat kuqezi. Ju siguroj se Galiani nuk gabonte kurrë kur bëhej fjalë për të afruar objektivin që kishim në merkato. Mendoj se karshi tij duhet të ketë më shumë mirënjohje për punën që ka bërë dhe për atë që vijon të bëjë".
Cikli
Në fund, Saki është pyetur se përse Berluskoni në ditët e sotme nuk është më në gjendje të ndërtojë një Milan fitues si ai i dy dekadave të fundit:
"Nuk është vetëm Milani, por i gjithë futbolli italian po kalon një periudhë të vështirë. Kërkimi i ortakëve dhe kapitalit të huaj është një tregues i rëndësishëm për vështirësinë që po has futbolli. Për sa i përket Berluskonit, mund të them se problemi i tij është se në ato vit presidenti e kishte mendjen 90% te Milani.
Klubi ishte mendimi i parë. Më telefononte dy herë në ditë dhe kërkonte të dinte gjithçka. Sot nuk është më kështu, pasi politika ka marrë të gjithë energjitë e tij".