SPECIALE/ Kur Bekenbauer me shokë lagnin këpucët në Tiranë prej urdhrit të Mehmet Shehut (FOTO)
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga UVIL ZAJMI
Gati gjysmë shekulli më parë, saktësisht më 17 shkurt 1971, në një kohë me shi dhe në një «Qemal Stafa» të tejmbushur, është zhvilluar takimi me RF Gjermane.
Cila ishte atmosfera dhe si e përjetoi Shqipëria përballjen me gjigantët e kohës Majer, Vogts, Bekenbauer, Heinkes, Grabovski, Myler dhe milanistin Shnelinger të ardhur në Tiranë?
Si u bllokua kryeqyteti dhe fotografi a surprizë e gjermanëve me Stalinin? Pse u trembën nga Qafë Krraba dhe ku përfunduan këpucët nr. 46, të cilat Netzeri la në Tiranë? Cila ishte vajza që Gerd Myler u njoh në «Dajti» dhe e vërteta për golin e shënuar. Simpatia e madhe për gjermanët, mania për emrin Gerd e Franc dhe si e përcolli shtypi?
Cilat janë të pathënat e atij takimi pas kaq vitesh, nga mbërritja deri në largim të RFGj-së, ekip ndër më të mëdhenjtë e historisë që luajti në kryeqytetin shqiptar?
Cilët ishin heronjtë e Kombëtares dhe si e kujton Astrit Ziu, mbrojtësi i Partizanit, që Loro Boriçi guxoi ta aktivizonte në sulm duke i befasuar të gjithë? Si është zhdukur bobina e takimit që nuk ekziston më?
Frika e gjermanëve, të gjithë në Tiranë
Pas barazimit 0-0 katër vite më parë dhe frikës për një tjetër surprizë, për ndeshjen e Tiranës, trajneri Shën kishte thirrur lojtarët e Botërorit meksikan '70. Ishte ajo skuadër që kishte luajtur në ndeshjen dramatike 4-3 me Italinë, më e bukura e gjithë kohërave dhe që në vitet që do të pasonin do të dominonin globin: Kampion Europe, Kampion Bote dhe Bajern tri herë radhazi fi tues i Kupës së Kampioneve.
Për takimin e 17 shkurtit, Helmut Shën vjen në Shqipëri me pak titullarë të '67-ës, si Patzke, Veber, Overat dhe Netzer duke i bashkuar portierin Majer, Bekenbauer, sulmuesit e jashtëzakonshëm të krahut Grabovski, Heinkes, Myler, goleadorin e Meksikës dhe, mbi të gjithë, Shnelinger, mbrojtësi i Milanit që me shumë vështirësi iu shkëput klubit italian për të udhëtuar në Tiranë.
Vetëm një muaj më parë, skuadra kishte barazuar 1-1 me Turqinë në Gjermani dhe kjo ishte ndeshja e dytë që nuk i lejonte të gabonin. Ata fi tuan 1-0, duke nisur ciklin e madh disavjeçar, plot lavdi e suksese pa fund.
Pikërisht nga Tirana e 17 shkurtit e kanë fi lluar, ashtu si Ajaksi që, vetëm pak muaj më parë, kishte barazuar 2-2 në «Qemal Stafa», pas të cilës startoi epokën e madhe të tij.
Para «Dajtit», në pritje të skuadrës
Skuadra kombëtare e RF Gjermane zbriti në aeroportin e Rinasit me një avion çarter të hënën e 15 shkurtit, në mesditë dhe me autobusë «FAP» të Parkut të Delegacioneve iu drejtuan hotel «Dajtit », i vetmi që plotësonte kushtet dhe i priste të gjithë, skuadra, personalitete etj.
Turma njerëzish qëndronin në pritje, kur autobusi mori kthesën dhe ndaloi në shkallët e mermerta të tij, por askush nuk mundi që të afrohej, pasi gjithçka ishte e kontrolluar.
Ndërsa qëndronin në hotel, lojtarët, të shtyrë nga kurioziteti, dilnin në ballkone, deri kur errësira mbuloi qytetin dhe vetëm Bekenbauer i shoqëruar bëri një shëtitje të vogël. Ndryshe nga ekipet apo klubet që kishin ardhur, apo erdhën më vonë në Tiranë, gjermanët nuk sollën ushqime dhe kuzhinier me vete.
Stërvitja në Dinamo, «black out» në kryeqytet
Ajo ditë për Tiranën ka qenë një «black out» total i paparë, kur studentë, nxënës, qendra pune, të gjithë në ndjekje të stërvitjes së gjermanëve. Të martën, në pritje që ata ta zhvillonin në mesditë, u informua se, duke parë terrenin e rënduar të kombëtarit, do ta bënin paradite.
Fillimisht njerëzit vrapuan në «Qemal Stafa», por më pas u përhap lajmi se ata do të shkonin te «Dinamo» dhe kur autobusi me lojtarët rreth orës 10:00 mori rrugën drejt Bulevardit, u kthye drejt Dinamos, pas tij shkuan të gjithë, me vrap, me biçikleta dhe rruga u bllokua, pasi turma që vraponte ishte e madhe, madje edhe vete policia u gjend e papërgatitur për këtë situatë.
Gjatë një ore stërvitjeje, në stadium ishin më shumë njerëz se në një ndeshje, të vendosur brenda terrenit dhe të tjerët në shkallët e Dinamos që kishte hapur dyert, pasi ishte e pamundur t'i mbante mbyllur. Dëshira për t'i parë nga afër futbollistët gjermanë ishte jashtë çdo logjike dhe pa kufi .
Te «Donika», sekret formacioni
Skuadra kombëtare shqiptare kishte një muaj e grumbulluar te hotel «Vollga» në Durrës, ndërsa stërvitjen, madje dy herë në ditë, e zhvillonte në stadiumin e qytetit.
Vetëm dy ditë para ndeshjes me autobusin e Partizanit e shofer Estref Bejlerin, ajo erdhi në Tiranë duke u vendosur në hotel «Donika», i njohur dhe tradicional për sistemimin dhe qëndrimin e sportistëve.
Në prag të takimit me RF Gjermane, në mungesë të fi rmave të njohura «Adidas» dhe «Puma», që nuk operonin në Shqipëri nga FSHF-ja, u porositën këpucë futbolli «Adidas» në Beograd, me të cilat luajtën futbollistët, por me kushtin që pas takimit duhet t'i dorëzonin.
Ndërsa fanellat ishin prodhim vendi, mbi të cilat u qep stema e Republikës. Gjatë dy ditëve nuk pati asnjë koment apo deklaratë nga stafi për formacionin antigjerman, të cilin Boriçi do ta shpallte në një sallë të «Donikës» pak orë para ndeshjes dhe pa praninë e medias.
Ajo që dihej, ishte një takim pas ndeshjes në Stamboll, në hollin e hotelit «Çarlton», midis Boriçit dhe trajnerit Shën, i cili kishte ardhur për të ndjekur ndeshjen Turqi-Shqipëri.
Një bisedë e gjatë, konfi denciale më shumë se një orë në frëngjisht midis tyre. Ndërkohë edhe skuadra gjermane ishte nën presion nga shtypi vendës.
Trajneri Shën nuk e kishte dhënë formacionin, të cilin do ta zbulonte në Tiranë pak orë para takimit duke deklaruar: «Ne do të nxjerrim skuadrën më të fortë».
Në Elbasan tremben nga rruga
Pa ndaluar në Tiranë, skuadra nën 21 vjeç u nis direkt për në Elbasan, sepse të martën do të luante me moshatarët shqiptarë të drejtuar nga S.Dedja dhe R.Resmja.
Për të ndjekur sfi dën, një delegacion me zyrtarë të federatës gjermane dhe disa futbollistë, ndër ta edhe Bekenbauer, udhëtuan të nesërmen drejt Elbasanit, pa e ditur se kalimi vajtje-ardhje do të bëhej nga Krraba.
Të trembur nga rrezikshmëria që i shoqëroi përgjatë kthesave në lartësi të Qafës së Krrabës, ata kërkuan nëse kishte rrugë tjetër në kthim dhe, pas takimit, udhëtuan drejt Tiranës nga rruga e vjetër e Peqinit.
Ndeshja u mbyll 2-0 për gjermanët, por ajo evidentoi edhe disa lojtarë që do të ishin baza e kombëtareve në të ardhmen, si Pernaska apo Brajtner etj.
Biletat, transmetimi, publiciteti, interesim nga UEFA
Ka qenë tejet e vështirë të gjeje një biletë për atë takim. Gjithçka me autorizim dhe planifi kim për ndërmarrje, institucione, bileta në shitje kishte vetëm disa në pjesët anësore të stadiumit. Ajo për tribunë dhe portativet poshtë tribunave A dhe B kushtonte 30 lekë, ndërsa përballë 20 lekë.
Në sektorin e autoriteteve ishin udhëheqësit e partisë, anëtarë byroje, ministra etj. Forca të rendit të angazhuara gjatë gjithë takimit, kishin vendosur kufi zime e kontrolle përreth e në hyrje të stadiumit.
Një «privilegj» iu bë vetëm të njohurit Ali Pazarit që iu la një vend për biçikletat të cilat i ruante, ndërsa zona para tribunës ishte krejtësisht e boshatisur ku do të qëndronin automjetet e zyrtarëve.
Gazetarët, telekronistët gjermanë u vendosën në vijat kufi zuese të fushës, ndërsa e gjithë Shqipëria me veshët te radio e Ismet Bellovës e Aleko Gjergos dhe para televizorëve të markave «Dajti», «Iliria», «Butrinti», duke ndjekur takimin në komentin e Skifter Këlliçit. Sfi da ka qenë e vlerësuar në maksimum edhe nga UEFA, që për të ndjekur takimet e dyfi shta kishte sjellë Sekretarin e Përgjithshëm, Hans Bangerter.
Ndërsa publiciteti ishte tejet modest dhe i kufi zuar për kohën. Vetëm disa njoftime në kryeqytet për ndeshjen dhe të zakonshmet banera në stadium: «Sport, Punë, Kalitje, Shëndet», «Më Shpejt, më Larg, më Lart», «Gati për punë, gati për mbrojtje» dhe ato politike «Të ndërtojmë socializmin me forcat tona», «Lavdi Marksizëm-Leninizmit » etj,. të cilat nuk kishin lidhje me ndeshjen.
Dhe tabela e madhe prej dërrase në sektorin «E», që tregonte orën dhe golat, në të cilën numrat vendoseshin me shkallë nga një person. Para takimit me altoparlant spektatorët u informuan për formacionet.
Ndeshja, formacionet dhe kronika
E mërkurë, 17 shkurt 1971, stadiumi kombëtar «Qemal Stafa», ora 14:00
Shqipëri-Gjermani 0-1
SHQIPËRIA: 1. K. Dinella, 2. M. Gjika, 3. P. Dhales, 4. G. Kasmi, 5. B. Cani, 6. T. Vaso, 7. I. Çeço, 8. R. Rragami, 10. P. Pano (Kap), 11. S. Bizi, 12.A. Ziu. Rezerva: Muhedini, Berisha, S. Hyka, Zhega, G. Xhafa, M. Leshteni. Trajnerë: Loro Boriçi, zv/Ilia Shuke, mjek Dr. Koli Gaqi, masazhator Ali Kastrati. Fanella të kuqe, me stemën e Republikës në mes, të mbathura të zeza. RF GJERMANE: Majer, Vogts, Shnelinger, Patzke (Bella), Veber, Bekenbauer, Grabovska, Netzer, Overath (Kap), Muller, Heinkes. Trajner: H. Shën. Fanella e bardhë, të mbathurat e zeza. ARBITRA: Becirov, Matev, Stanes (Bullgari). SPEKTATORË: 20.000. SHËNUES: G. Myler 38'. Terreni rrëshqitës dhe kohë me shi në pjesën më të madhe të lojës.
Tirana dhe e gjithë Shqipëria u zgjua atë ditë me ankthin, emocionin që ofronte ai takim. Në çdo vend, kudo, familje, punë, vetëm për sfi dën fl itej. Shkollat, ndërmarrjet, administrata shtetërore në të gjithë vendin e mbyllën shpejt ditën e punës duke vrapuar për ndeshjen, ai që kishte biletë ta ndiqte në stadium, të tjerët në TV.
Takimi fi lloi në orën 14:00 dhe stadiumi kombëtar, vetëm me një unazë në ato vite, ishte mbi kapacitetin e tij, ku qëndronin në këmbë e ulur rreth 20.000 veta. Në pjesën e parë, Gjermania ruante portën jugore. Ndeshja u karakterizua me raste nga të dyja skuadrat, me rivalitet në mesfushë deri në fundin e saj. Ajo ishte tejet korrekte, nuk pati asnjë karton, vetëm një zëvendësim nga kundërshtari dhe goli i realizuar nga Myler në minutën e 38-të.
Pas ndeshjes nuk u shkëmbyen bluzat, madje as që nuk u tentua dhe vetëm disa deklarata të trajnerëve në hollin e kombëtarit.
Reagimi i shtypit gjerman dhe atij shqiptar
Hans Bangerter, Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, pasi ndoqi dy takimet, në Elbasan e Tiranë u shpreh: «Pashë dy skuadra shqiptare të zgjedhura nga dy milionë banorë, pashë gjithashtu dy skuadra të Rfgj-së, të zgjedhura milionë futbollistë». do të shkruante: i shënuar në pjesën e parë të lojës Gerd Myler i siguroi fi toren 1-0 dhe i shpëtoi prestigjin përpara Shqipërisë, në një ndeshje që u zhvillua në mesfushë, por shqiptarët bënë disa sulme ku Pano, Bizi, Rragami humbën disa raste të mira...».
Ndërsa «Sporti Popullor», që dilte një herë në javë, të martën e 23 shkurtit publikon shkrimin me titull: «Lojë plot dinjitet e 11-shit tonë», me autorë Skënder Tupjen dhe Prokop Koretën, të cilët japin me hollësi e të detajuar kronikën e lojës dhe paraqitjen e çdo futbollisti.
Darkë zyrtare, pastaj në «Adriatik»
Në darkën zyrtare të shtruar në hotel «Dajti» ishin të gjithë, drejtues e futbollistë të skuadrave, zyrtari nga UEFA, arbitrat italianë që drejtuan takimin e U-21, Karminati, Kazarin dhe Zaketi.
Atmosfera ishte entuziaste, veçanti nga futbollistët nuk e fshihnin, por e shprehnin kënaqësinë për toren. Ata bënin humor me njëri-tjetrin, sidomos Majer, ndërsa Vogts, Bekenbauer ishin më seriozë.
Deri në orët e vona u qëndrua aty, pastaj disa prej tyre komunikuan me Pano Lulon dhe i kërkuan që të shkonin në Adriatik, pasi ishin informuar se aty kishte të huaj e bëhej jetë nate.
Goli, e vërteta e pathënë
Gerd Myler shënoi dy gola në «Qemal Stafa». I pari që u anulua për pozicion jashtë loje pas goditjes me kokë dhe, i dyti, ai deciziv i minutës 38.
Nga një faull i shkaktuar nga Ziu ndaj Grabovskit dhe pas vendosjes së murit mbrojtës, në një distancë 20 metra pak diagonal Netzer ka harkuar në zonë dhe Myler e ka ndaluar topin dhe krejt i qetë ka realizuar në të djathtë të Dinellës pak më afër se pika e penalltisë.
Ajo që konstatohet sot nga pamjet fi lmike është se në çastin e ekzekutimit nga Netzer, në murin mbrojtës shqiptar krejtësisht të çorientuar, një ndër lojtarët e kuq është edhe Bujar Cani me nr.5, që i paorientuar duhet të ishte në zonë në mbulimin e Mylerit. Ndërkohë para shënimit, Myler dylufton me një mbrojtës me numër 4, që është Gëzim Kasmi.
Për shumë vite është komentuar se Myler iu shmang mbulimit të Canit, por që realisht nuk është kështu.
Pano Lulo dhe fotot te Stalini
Ndërsa shoqërues i gjermanëve ka qenë Besim Fagu, kryetar federate, përkthyesi i tyre ishte stomatologu shumë i njohur për kryeqytetasit, Pano Lulo, i diplomuar në Gjermani.
Ka qenë surprizë për mjekun, kur Majer, Myler dhe Bekenbauer i kanë shfaqur interes dhe dëshirën për të bërë një foto me Stalinin, monumenti i të cilit ndodhej përballë «Dajtit», pasi kishin preferenca anti-Hitler, foto të cilat Iljaz Çeço ia dorëzoi Bekenbauerit para sfidës së kthimit në Karlsruhe, gjatë një feste të organizuar me rastin e 50 ndeshjeve të tij me kombëtaren. Sa herë që Bekenbauer ka ardhur në Tiranë vite më vonë, njeriu i parë që takonte ka qenë Pano Lulo.
Malaria, këpucët e Netzerit dhe njohja e Mylerit
Sapo zbritën në Rinas i detyruan që të lagnin këpucët, fakt që vite më vonë e kujtonte nga Shqipëria Vogts.
Duke qenë se në Turqi kishte rënë malaria dhe futbollistët shqiptarë pas takimit të Stambollit u izoluan për disa ditë në Durrës, me urdhër të M. Shehut, çdo njeri që futej në Shqipëri u nënshtrohej masave parandaluese.
Për këtë motiv, edhe skuadra e drejtues të Gjermanisë u detyruan që t'i fusnin këpucët në një basen me ujë të disinfektuar gjatë kalimit në aeroport.
Ndërsa këpucët Nr.41, Bekenbauer ia fali Namik Jarecit në hotel «Dajti», të cilat i përdori gjatë gjithë karrierës si arbitër, këpucë që edhe Gunter Netzer i la në Tiranë, është një histori pa autor: Për shumë kohë kanë qarkulluar nga një futbollist te tjetri, pa mundur askush t'i përdorë, pasi ishin me nr.46. Kanë tentuar Çoçoli, Ibërshimi, Sejdini, Përnaska, por fati i tyre mbeti jetim.
Siç ka mbetur e tillë edhe njohja e Gerd Mylerit me një kameriere të «hotel» Dajtit, një frekuentim që u mbajt i «fshehur » brenda mureve gati në izolim të «Dajtit».
Pastaj, heshtje, asnjë lidhje dhe komunikim. Vetë Gerd Myler e ka treguar më vonë si një histori kalimtare, por që kishte lënë gjurmë tek ai, si një fragment njohje pasionante me shqiptaren që nuk u shfaq asnjëherë.
Dhe, së fundi: Me pasionin dhe simpatinë që kishin shqiptarët për futbollistët gjermanë, janë vitet kur shpërtheu mania për t'i vënë emrin Gerd, apo Franc fëmijëve të sapolindur.
Nuk ka qenë e lehtë, pasi lagjja nuk lejonte përdorimin e emrave të huaj, por me vështirësi, pak me miqësi nuk kanë qenë të pakët fëmijët e quajtur Gerd apo Franc në ato vite e më vonë.
Renditja në fund të sezonit
Duke qenë në grupin e 8-të, për eliminatoret KE «Belgjikë 72», me Gjermaninë, Turqinë dhe Poloninë e fortë të Gadohës, Dejnës e Lubanskit, në fund të vitit 1970 skuadra jonë luan dy takime: Në Katovicë, tetor 1970, Poloni-Shqipëri 3-0 dhe në Stamboll, pas një muaji: Turqi-Shqipëri 2-1.
Ndërsa fi ton 1-0 në Tiranë, Gjermania triumfon në Stamboll 3-0 me Turqinë, 2-0 në Karlsruhe me Shqipërinë dhe me Poloninë ndan një fi tore e një barazim. Renditja: RFGJ me 10 pikë (4/2/0/), Polonia 6, Turqia 5 dhe Shqipëria 3 pikë, pas barazimit 1-1 me Poloninë dhe fi tores 3-0 në ndeshjen e fundit me Turqinë në Tiranë (dy gola të Pernaskës në debutim dhe Pano).
Në gjashtë takimet e zhvilluara në grup, Boriçi i rikthyer në Kombëtare me barazimin 1-1 në Tiranë ndaj Irlandës e Bestit ndryshoi disa herë formacionin.
Qëndroi në stolin e kombëtares deri në vitin 1972, kur në vendin e tij u ul M. Alla.
Cili ishte Astrit Ziu, surpriza bombë e Boriçit?
Futbollist i Tomorit të Beratit, në rolin e sulmuesit të majtë kur trajneri i njohur Thanas Jance, i sapoardhur nga Hungaria merr drejtimin e Tomorit dhe në fi toren surprizë ndaj Partizanit në Tiranë në sezonin 1964-'65, duke vënë në dyshim edhe pjesëmarrjen në Kupën Ballkanike të klubit ushtarak ndaj Fenerbahces. Ishte një ndeshje ku spikati edhe i riu Astrit Ziu si mbrojtës krahu.
Transferohet te Partizani për të kryer shërbimin ushtarak dhe njëkohësisht grumbullohet me kombëtaren e Boriçit.
Shtatlartë, me një fizik të admirueshëm dhe një të majtë të veçantë, luan në Turqi duke debutuar me golin e barazimit provizor, si i pari shënuar nga një mbrojtës me Kombëtaren, madje në transfertë.
Aktivizimi i tij në rolin e sulmuesit të maskuar ndaj Gjermanisë konsiderohet ndër lëvizjet taktike surprizë e të rralla për kohën. E mbylli karrierën 32 vjeç me Partizanin, duke luajtur 5 ndeshje dhe një gol me kombëtaren.