e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

S’ka fitues mbremja e Champions-it, vetem paqe ne Madrid dhe Donetsk

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
S’ka fitues mbremja e Champions-it, vetem paqe ne Madrid dhe Donetsk
Dy supersfidat e mbrëmjes së Champions League kanë përfunduar në paqe, e cila më së shumti favorizon miqtë. Kështu, supersfida mes dy titanëve të Evropës, Real Madrid-Manchester United, përfundoi në barazim 1-1, ndërsa ndeshja e “Donetsk-ut” mes Shakhtar dhe Borussia Dortmund përfundoi në 2-2.

Real Madrid – Manchester United 1-1

“Galaktikët” dhe “Djajtë e Kuq” u ndanë në barazim në sfidën  e “Santiago Bernabeu-t” duke e lënë kualifikimin për më tej në “Teatrin e Ëndrrave”.

Ndeshja filloi me ritmin marramendës, ashtu siç pritej. Cristiano Ronaldo u shfaq mjaft në formë për madrilenët që në nxehje, ndërsa atmosfera e Madridit ishte e papërshkrueshme.  Vendasit e nisën mjaft mirë takimin ku u shfaqën të rrezikshëm që në start me anë të Angel Di Maria-s dhe Cristiano Ronaldo-s, të cilët iu afruan golit.

Mundësinë më të mirë në fillim të takimit e pati Fabio Coentrao, që goditi shtyllën pingule të portierit David De Gea. U dëshën vetëm pak minuta nga dominimi i Realit, kur Van Persie krosoi nga këndi për sulmuesin Welbeck.Sulmuesi anglez u tregua tmerrësisht i saktë duke kaluar “Djajtë” në avantazh në minutën e 20 të takimit pas golit që shënoi me kokë.

Por Reali nuk u ndal kurrsesi, duke e vënë mjaft herë në vështirësi skuadrën e Sir Alex Ferguson. Mjaftoi një harkim i mirë në zonë dhe Cristiano Ronaldo ngriti stadiumin në këmbë duke shënuar me elegancë golin e barazimin në minutën e 30-të.  Pjesa e dytë nuk ishte aspak ndryshe nga e para ku përsëri skuadrat arritën të mbanin një ritëm të lartë loje në fushën e blertë.

Manchester United e filloi më mirë pjesën e dytë, por Reali  u tregua shumë më  rrezikshëm me anë të Ronaldos. Më afër golit ishte Di Maria, por pa arritur të finalizonte siç duhej.  Në një moment pati edhe kontestime, kur Danny Welbeck u rrëzua i ndalur nga ndërhyrja e mbrojtësit të ri, Raphael Varane. Por gjyqtari vijoi lojën pa treguar pikën e 11-metërshit.

Pas pothuajse një ore lojë, Manchester United u mbyll në gjysmëfushën e tij, ndërsa Reali nisi të kërkonte golin e pagjetur të fitores.

Vetëm pak pas aktivizimit të Luka Modric-it, Reali u shfaq mjaft kërcënues. Mesut Ozil u gjend mirë para portës por goditja e tij përfundoi në trupin e De Gea-s.

Rast të mirë pati edhe veterani Ryan Giggs për “Djajtë”, por uellsiani nuk e shfrytëzoi në mënyrën e duhur hapësirën e lënë nga mbrojtja madrilene.Në fund të takimit, Ronaldo  pati shansin e artë për t’u kthyer në hero, por nuk mundi dot që të finalizonte siç duhej atë goditje.  Me rezultatin 1-1 në Madrid, i favorizuar mbetet Manchester United, të cilit do t’i mjaftojë një barazim pa gola në “Old Trafford” për të siguruar biletën në çerekfinale.

Shakhtar – Borussia Dortmund 2-2

Shakhtar Donetsk dhe Borussia Dormund u ndanë në barazim 2-2 në Ukrainë, ku heroi i ndeshjes ishte Mats Hummels për miqtë, i cili arriti të shpëtonte skuadrën gjermane nga disfata.Darijo Srna  zhbllokoi takimin në minutën e 31-të, mirëpo pa përfunduar pjesa e parë  Robert Lewandowski  barazoi gjithçka pas një asisti të Mario Goetze në minutën e 41-të.

Në pjesën e dytë ishin vendasit protagonistë, ku  Douglas Costa i riktheu avantazhin skuadrës së tij me ndihmën e Yaroslav Rakytskyy në minutën e 68-të.Por mbrojtësi Mats Hummels, arriti që të shpëtonte Borussia-n kur duheshin vetëm tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt duke shënuar një gol që vlen shumë. Ky rezultat favorizon Borussian e Dortmundi-t, e cila do të kthehet në Gjermani me avantazhin e dy golave të shënuar në fushën e kundërshtarit.