e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Runi: Italia 'bunker', por e mundim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Runi: Italia 'bunker', por e mundim
Uejn Runi është rikthyer më i uritur se kurrë në kombëtare dhe këtë e konfirmon goli i tij i fitores kundër Ukrainës dhe rastet e tjera të shpërdoruara gjatë ndeshjes. Gjithsesi, sulmuesi i Mançester Junajtid premton se kundër Italisë do të jetë edhe më i ekzaltuar sesa në sfidën e tij të parë në këtë Evropian, por mbi të gjitha është i bindur se Anglia do të avancojë në gjysmëfinalet e aventurës në Poloni e Ukrainë.

“Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, mbase një ndër më të bukurat e Evropianit, por për të mundur Italinë duhet të besojmë maksimalisht në forcat tona. Kjo është një sfidë e cila kërkon një përgatitje të fortë psikologjike, më shumë sesa fizike, prandaj mbi këtë aspekt duhet të punojmë më shumë. Arsyeja? Italianët kanë mbrojtjen më perfekte në botë, ata shndërrohen në një ‘bunker’ kur vjen puna te ndeshjet me eliminim direkt, prandaj duhet t’i studiojmë mirë ata. Fatmirësisht kanë humbur një mbrojtës si Kielini, por gjithsesi ata nuk e kanë shumë problem zëvendësimin e tij.

Pika jonë e fortë kundër tyre? Unë u ktheva në ndeshjen e tretë, shënova dhe jam shumë i lumtur për golin tim. Besoj se sivjet kemi një nga repartet sulmuese më të fortë në botë, prandaj vetëm duke përdoruar të gjitha cilësitë tona do të mund të çajmë murin italian. Fatmirësisht, kemi edhe një ditë më shumë pushim sesa ata, prandaj këto orë në favorin tonë duhet t’i përdorim për të karikuar në maksimum bateritë. Objektivi ynë? I pari ishte kalimi i grupit, por tani duam gjysmëfinalet. Jemi për finale? Më mirë t’i marrim hapat një e nga një. Italia do të jetë një kockë e fortë, por unë kam besim të plotë se kundër tyre mund t’ia dalim, madje jam gati të vë bast për këtë gjë”, ironizon Runi, duke e bazuar mbylljen e tij edhe mbi skandalin e basteve që ka përfshirë Italinë.

“Italia? Jam i lumtur që shmanga Spanjën…”

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Roi Hoxhson, rikthehet të flasë një ditë pas suksesit kundër Ukrainës, por në të njëjtën kohë nis të nxehë atmosferën në pritje të çerekfinales kundër Italisë. “Më vjen keq për ukrainasit, realisht, sepse goli i tyre ishte i rregullt dhe ne e dimë mirë sesi mund të ndihen ata, duke qenë që e provuam këtë gjë dy vite më parë. Por, më shumë se kaq nuk mund të bëj dhe tani më duhet të mendoj për ekipin tim dhe për planin e çerekfinales. Italia e frikshme? Unë them që jam njeriu më i lumtur që arrita të shmang Spanjën, pastaj sesi do të shkojë sfida me Italinë, këtë gjë do e shohim të dielën. Kemi disa ditë kohë për të menduar sesi do ta luajmë këtë 90 minutësh të rëndësishëm dhe bindja ime është që mund t’ia dalim, duke qenë se tani kemi edhe një Runi më shumë”, theksoi trajneri i Anglisë.

Kapelo i përgjigjet Runit

Pasi Uejn Runi dy ditë më parë kishte thumbuar Fabio Kapelon (“më në fund një trajner anglez, me të cilin mund të komunikojmë qartë”), dje ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish-trajnerit të Anglisë. “Unë jam profesionist dhe për sa i përket anglishtes sime mund të them se ajo ishte perfekte për t’u kuptuar nga lojtarët e mi. Por, nëse mua më është dashur ta studioj atë, në kombëtare kishte nga ata si Runi që nuk dinin të flisnin as gjuhën e tyre”, tha italiani.