Rrezikohet një tjetër eksod masiv, Berardi afrimi i parë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi është shndërruar në supermarketin e Europës, sepse prej disa vitesh drejtuesit e tyre jo vetëm gjejnë dhe vënë në vitrinë talente të mëdhenj, por edhe disa kampionë të rikuperuar dhe të afirmuar kanë nisur të joshen nga oferta që vijnë prej klube të tjera të kontinentit.
Edhe pse Masimiliano Alegri po ecën i sigurt drejt titullit të dytë personal radhazi dhe të pestit radhazi për bardhezinjtë, trajneri 48-vjeçar rrezikon që të shohë edhe një herë tjetër skuadrën që t'i çmontohet.
Në verë, i pari që duket me valixhe në duar është mbrojtësi uruguaian Martin Kaseres, i cili këmbëngul për të pasur nga Juventusi jo 2 milionët e ofruar, por 3 milionë euro, prandaj kjo shifër detyron dy palët drejt divorcit.
Një tjetër që pritet të lërë Torinon pas një sezoni shumë pozitiv është Huan Kuadrado, të cilin "Zonja e Vjetër" kërkon ta blejë, por jo më shumë sesa 15 milionë euro, shifër që është shumë larg kërkesës prej 22 milionësh të Çelsit. Edhe Patrisë Evra ka hedhur dyshime mbi qëndrimin e tij në radhët e bardhezinjve, duke qenë se nga viti i ardhshëm, francezi vështirë se do të jetë një titullar, duke parë shpërthimin e Aleks Sandro.
Por, problemi edhe më i madh është ai i Alvaro Moratës, i cili duket i destinuar për t'u shlyer nga Reali i Madridit, ndonëse nëse spanjolli do të qëndrojë në "Santiago Bernabeu" apo do të largohet drejt Premier Ligës, kjo është diçka që duhet mësuar. Dhe të gjitha këto largime mund të hapin një hendek jo të vogël në skuadër, ndonëse drejtori i përgjithshëm, Xhuzepe Marota, po vrapon menjëherë që të marrë masat.
Lëvizja e parë dhe njëkohësisht dhurata për titullin e pestë radhazi që klubi kërkon t'i bëjë Masimiliano Alegrit është sulmuesi i Sasuolos, Domeniko Berardi. Trajneri i Juves e ka "bekuar" talentin 21-vjeçar dhe presidenti Andrea Anjeli do të fusë dorën në xhep për t'i paguar 20-25 milionë eurot homologut të tij, Xhorxho Skuinci, sipas akordit që të dy klubet kanë. Dhe ndoshta, me Dibalën, Manxukiçin dhe Berardin, Juventusi mund të ndërrojë edhe skemë, për shembull në një 3-4-2-1, me të cilin mund të jetë më ofensiv dhe shumë më i rrezikshëm