Rrëfehet Plori: Ja goditja më e madhe që kam marrë te Kastrioti
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me lojtarë cilësorë, madje të denjë për të qenë në Superiore dhe pa shumë zhurmë, Kastrioti është skuadra që kryeson grupin A në Kategorinë e Parë dhe me tri pikë diferencë nga vendi i dytë.
Trajneri i krutanëve, Elvis Plori, natyrisht që ka meritë kryesore në ecurinë e ekipit të tij.
"Jam një trajner që shpeshherë qortohem për lidhjet e ngushta që krijoj me sportistët, por dua të theksoj se në futbollin shqiptar si dhe realiteti i jetës jashtë sportit ka shumë nevojë që lojtari ta ndiejë mbështetjen e teknikut. Kështu unë e logjikoj dhe arritja më e madhe pas rezultateve këtë vit ka qenë mirëkuptimi që kemi pasur me njëri-tjetrin. Natyrisht edhe ndarja e punës dhe detyrave në jetën sportive dhe jashtë saj janë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme", ka thënë fillimisht Plori.
Zhgënjimi
Por sezoni i krutanëve natyrisht që nuk qenë i përkryer, pasi pak kohë më parë ata janë dënuar nga FIFA me heqjen e tri pikëve, çka i detyroi që të linin vendin e parë në grup.
"Ishte një goditje shumë e rëndë dhe s'mund të rri pa e përmendur. Heqja e tri pikëve nuk ishte për fajin tonë, po për fajin e atyre që drejtonin pesë vite më parë. Humbën vendin e parë në një moment delikat, pasi ishte fundi i fazës së dytë dhe renditja kishte rëndësi në përcaktimin e kalendarit për fazën finale. Megjithatë, gjetëm forca dhe ia dolëm.
Nuk e them për justifikim, as për mburrje, por t'i shohësh dhe t'i përjetosh të gjitha këto goditje brenda një kampionati nuk është e lehtë. Kështu që duhen komplimentuar të gjithë ata që janë pjesë e klubit", vazhdoi Plori, për të cilin gara për ngjitjen në Superiore ende nuk ka përfunduar.
"Kemi edhe 7 javë të luajtura dhe në lojë janë 21-pikë. Dua të theksoj që përqendrimi dhe vlerësimi jo vetëm i ndeshjes, por i çdo minute në stërvitje dhe përkrahja e çdo sportisti që bën sakrificë për shokun është pjesa më e rëndësishme e një grupi perfekt lojtarësh që unë kam fatin t'i kem në dispozicion. Për kundërshtarët nuk dua të flas fare. Më mirë të merren ata me llafe e ne me punë, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara dhe të arrijmë objektivin për t'u ngjitur në Superiore", ka mbyllur Plori.
Përgatiti: LIRIDON PASHA