Ronaldo, Mesi e Nojer, tre finalistet per 'Topin e Arte'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Manuel Nojer janë tre finalistët përfundimtar për çmimin e “Topit të Artë”, që do të jepet me datë 12 janar në Zyrih të Zvicrës. FIFA zyrtarizoi tre kandidatët për trofeun më prestigjoz në planin individual, që këtë vit ka ndezur jo pak polemika, pasi ka shumë prej atyre që mendojnë se në këtë garë duhen marrë parasysh dhe trofetë e fituar nga një prej kandidatëve me klubin e tij ose përfaqësuesen e tij, raporton Sport News.
Manuel Nojer në këtë aspekt do të ishte i favorizuari absolut, pasi ka fituar Botërorin me Gjermaninë dhe Bundesligën e Kupën e Gjermanisë me Bajernin, ndërsa në krahun tjetër Ronaldo, përvecse u shpall “Këpuca e Artë” e Europës arriti të fitojë Champions League, duke qenë dhe golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni por gjithashtu dhe Kupën e Mbretit.
Ndërkohë, Mesi, që është mes tre më të mirëve për të tetin vit radhazi, me Barcelonën pati një vit të varfër në trofe, por me Argjentinën arriti në finalen e Botërorit dhe gjithashtu theu dy rekorde, atë të Raul në Champions dhe Zarrës në kampionat.
Sa i përket trajnerëve më të mirë, në garë do të jenë Karlo Anceloti i Realit të Madridit, Diego Pablo Simeone, kampion i Spanjës me Atletikon dhe Joakim Lëv që udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit të katërt botëror.
Sa i përket kandidateve finaliste për femra, si zakonisht nuk mungon braziliania Marta, por dhe gjermania Kesler e amerikania Uambac.
Goli më i bukur ndërkohë do të zgjidhet mes tre kandidaturave, atij të realizuar nga Hames Rordriguez, Stefania Roce dhe Robie Van Persi, ku dy prej të cilëve u realizuan gjatë Botërorit brazilian.