Rinovon De Biazi: Por nuk mund te premtoj Euro 2016!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi është trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit edhe për edicionin e eliminatoreve të Euro 2016. Këtë fakt e ka konfirmuar trajneri italian, i cili thjesht ka bërë të ditur se ka një akord me FSHF-në dhe ka mbetur tashmë vetëm “ceremonia zyrtare” para kamerave dhe bliceve të aparateve për të mbyllur gjithçka në një konferencë për shtyp që ka zgjatur thuajse një orë në ambientet e FSHF-së, trajneri italian ka bërë bilancin e edicionit që sapo u mbyll, por edhe të asaj që pritet në edicionin e ardhshëm, ku çuditërisht nuk ka pranuar ta cilësojë si objektiv kualifikimin në Euro 2016.
Bilanci për Botërorin 2014
Trajneri ka bërë të qartë se pavarësisht ëndrrës që ndoqëm për shumë kohë për kualifikimin në Botëror, objektivi real i përfaqësueses nuk ka qenë thuajse asnjëherë kualifikimi, por krijimi i një ekipi të ri. “Objektivi i kombëtares, kur unë u takova për herë të parë me presidentin Duka në Milano në vitin 2011, ishte ai që të kërkonim të ngrinim në këmbë një skuadër në një moment të veçantë, kur duhej krijuar një grup i ri lojtarësh dhe në të cilin duhej munduar t’i jepej një udhëzim dhe drejtim një skuadre. Objektivi ishte praktikisht ai i krijimit të një grupi të ri, duke pasur parasysh edhe nevojat afatshkurtra, pra të kërkonim të paraqiteshim mirë në këto eliminatore, ndërsa kërkonim të ndërtonim një skuadër që do të kishte një të ardhme të largët. Kemi kaluar 20 muaj, 10 ndeshje kualifikuese, 8 ndeshje miqësore. Them pa modesti se deri në ndeshjen me Zvicrën, kishim ndonjë shans të vogël të shkonim dhe të arrinim një objektiv që askush as e hipotetizonte në vigjilje. Mendoj se në pjesën e parë të sezonit, pas 9 pikëve, pas 6 golave të shënuar, 5 të pësuar, ndeshjeve miqësore, u krijua një lloj euforie. Kjo është normale. Mendoj se ky aspekt i pritshmërisë për të ardhmen, ishte ai që ndikoi në mënyrë vendimtare në skuadër dhe evidentoi ato që ishin limitet tona”, u shpreh trajneri italian, i cili mendon se ndoshta në radhët e kuqezinjve ka pasur edhe pak mbivlerësim apo edhe mendjemadhësi.
“Mendoj se parimisht, skuadra në një pikë ka qenë viktimë e përgjegjësisë që ka ndier mbi shpatulla, ndoshta nuk jemi ende gati për një objektiv kaq të rëndësishëm. Së dyti, pjesa më e madhe e lojtarëve tanë nuk luajnë në skuadra që luftojnë për objektiva shumë të rëndësishëm. Jo rastësisht, skuadra që kanë fituar grupet e tyre apo kanë arritur të dytat, kanë lojtarë që luajnë në Ligën e Kampioneve, Europa League, në skuadra të nivelit të lartë. Asgjë nuk vjen rastësisht. Mendoj se në ditët e sotme, diferencën thelbësore e përbëjnë eksperienca, veprimi individual dhe fakti që mund të jesh bashkë për një kohë të gjatë. Fatkeqësisht, ne jemi bashkë për një kohë të shkurtër dhe duhej të ndryshonim gjatë rrugës për arsye të ndryshme. Unë mendoj se ne, për pjesën më të madhe të sezonit, jemi mbështetur shumë mbi krenarinë, mbi një vendosmëri të çmendur, pastaj gjatë rrugës e kemi humbur pak këtë karakteristike tonën. Ndoshta jemi parë pak në pasqyrë dhe na pëlqeu vetja. Kjo sipas meje ishte një nga gabimet tona të mendjemadhësisë. Mendoj se për pjesën e parë të kualifikueseve, pjesa më e madhe e punës u bë në aspektin psikologjik, që të ndiheshim më pak të dobët se kundërshtarët. Pra, ne ishim duke fluturuar, ishim duke fluturuar me një punë psikologjike të rëndësishme, ashtu si ajo e fushës, por në një moment të caktuar, kjo skuadër, apo lojtarët, u zgjuan nga fluturimi. E panë që gjendeshin shumë lart dhe u frikësuan. Kjo është ndjesia që dua të vizualizoni të gjithë. Ky aspekt i bëri të ndesheshin me një realitet që ishte i ndryshëm nga ai që kishin në kokën e tyre”, ishte shpjegimi që De Biazi dha për eliminatoret që Shqipëria mbylli përsëri në vendin e parafundit në grup.
Kontrata e re
De Biazi ka bërë të qartë menjëherë se çështja e kontratës së tij ishte e mbyllur, nuk kishte më asgjë se çfarë të diskutohej rreth saj, as në aspektin financiar. “Kur do të firmos? Mendoj sot pasdite (dje) apo nesër në mëngjes (sot). Nëse do të isha Duka a do të rinovoja kontratën e De Biazit? Unë, meqë vij nga fusha e futbollit, e shoh se si punon një njeri, jo çfarë makine ka nën prapanicë. Unë mendoj se jam një njeri që bën punën e tij nga pikëpamja taktike, nga pikëpamja motivuese. Them se kur erdha këtu për të drejtuar në Shqipëri, nuk është se po rrija në shtëpi duke fërkuar barkun, mund të drejtoja në Serinë A. Zgjodha të vija këtu, sepse ishte një eksperiencë që dëshiroja të bëja, një muaj e gjysmë më parë mund të shkoja te një skuadër të rëndësishme, por nuk e bëra, sepse kam një detyrë dhe dua t’i them ndokujt që më ka cilësuar “humbës”, ndërsa ai është “fitues”, që unë të gjitha objektivat që më kanë vënë punëdhënësit e mëparshëm, i kam arritur të gjitha. Me mua, skuadrat janë ngjitur në kategori që me të parën, kanë bërë hapa të trefishtë, gjithmonë kanë mbijetuar. Unë mund të mos jem një “fitues”, por objektivat i kam arritur gjithmonë. Nuk e kam fituar asnjëherë Ligën e Kampioneve, as kam luajtur ndonjëherë aty, nuk kam fituar asnjëherë Serinë A, por nuk kisha asnjëherë makinën e duhur për ta fituar”, u shpreh trajneri që më pas ka deklaruar se zërat për shifrën 1 milion euro të kontratës së tij nuk janë të vërteta.
“Ta sqarojmë një herë e mirë. Ai milioni i eurove që do të merrja apo kërkoja unë, nuk e arrijmë as nëse rri këtu 4 vite. Pastaj, nëse shpenzoj para për të ndjekur lojtarë, e bëj sepse dua t’i shoh, të flas me ta, sepse nuk i njoh, sepse janë lojtarë të rinj. Nëse doja, mund të rrija në shtëpinë time, të fërkoja barkun, merrja paratë dhe nuk shpenzoja asgjë. Por mendoj se sot nuk do të kishim ndonjë lojtar më shumë të cilit mund t’i besojmë për 2-4 vitet e ardhshme. Ne, Federata Shqiptare! Mendoj se ne kemi bërë një punë të madhe zbulimi, duke dalë rreth e rrotull. Falënderoj Zotin, po unë për të bërë xhiro për pushime, nuk kam nevojë për paratë e Federatës. Kur udhëtoj, shkoj edhe në vende të humbura për të ndjekur lojtarët, nuk është se shkoj në Ishujt Seishell, Maldive apo Moskë. Shkoj atje ku mendoj se është një lojtar që kam parë në internet apo në vende të tjera, shkoj ta kërkoj vetë. Shkoj të flas me të, për të parë se çfarë lojtari është. A jam i kënaqur me ofertën? Nëse njëri firmos, do të thotë se është i kënaqur. Nuk është se jam i kënaqur vetëm nga pikëpamja ekonomike, jam i kënaqur se do të vazhdoj një projekt, se kam lojtarë me të cilët kam një mirëkuptim, jo vetëm për arsyen financiare”.
Euro 2016 dhe objektivi
Me formatin e ri të Kampionatit Europian, ku tani në fazën finale marrin pjesë 24 skuadra, Shqipërisë i mjafton të renditet e treta në grupin kualifikues që të sigurojë pjesëmarrjen në aktivitet. Por De Biazi ka bërë të qartë se nuk mund të premtojë kualifikimin, as me një grup identik si ky që kishim, duke deklaruar se gjithçka është shumë e komplikuar dhe se objektiv është vetëm ai i krijimit të një kombëtareje më të mirë.
“Nuk ka klauzolë kualifikimi në kontratë. Ekziston vetëm shpresa që të mund të shohim sa më parë skuadrën të arrijë një objektiv të rëndësishëm. Sigurisht nuk është e lehtë, por kemi të gjithë këto avantazhe, kemi dy vite punë dhe duhet të mundohemi të vazhdojmë planifikimin. Është e qartë se në ndryshim nga këto kualifikuese, unë grupin e kam në mendje. Pastaj nëse na del në qarkullim ndonjë lojtar i jashtëzakonshëm, sigurisht që do të merret në konsideratë, por grupi do të jetë mjaft më i mbyllur, nuk do të jetë një grup i hapur si më parë, nuk do të jetë më si një “stacion”. Nuk i kemi vënë vetes objektiva, të shohim njëherë se si do të jetë grupi dhe pastaj në shkurt, në bazë të grupit, do t’i bëjmë vetes këtë pyetje dhe të shohim. Nëse do të kishim një grup të njëjtë si ky që kishim? Mendoj se është e vështirë. Unë jam i mësuar të them gjëra që i mendoj me të vërtetë, nuk është se ju them gënjeshtra. Objektivi është të ndërtojmë një skuadër gjithmonë e më të fortë, ky është objektivi më i rëndësishëm”, deklaroi De Biazi.
Vlerësimi për Shqipërinë
Trajneri italian ka zgjedhur metaforat për të përshkuar ecurinë e Shqipërisë në eliminatoret që sapo u mbyllën, duke bërë krahasimet me kampionatin e Formula 1. “Makina Shqipëria ishte një Ferrari për pjesën më të madhe të sezonit. Ishte një Red Bull që ecte më fort, ajo e kuqja me atë kryqin e bardhë (Zvicra). Ajo ecte më shpejt se ne. Pastaj Ferrari përfundoi në bokse, qëndroi pak aty, zgjodhi gomat e gabuara dhe prandaj u ndalëm pak. Tani jemi aty, për të rregulluar motorin, mundohemi që të rinisemi. Por ajo makina tjetër, ka 5 vite që punon me të doktor Hitcfeld, nuk është se ishte punë një dite, edhe ata kanë dështuar në objektivat që duhej të arrinin më parë. Quhen Zvicër dhe kanë disa kushte më të mira se ne. Dhe nuk mendoj se jemi aq mendjemëdhenj sa të mendojmë se jemi në nivelin e disa skuadrave”, ishte krahasimi që zgjodhi trajneri.
Pengu dhe zhgënjimet
De Biazi ka bërë të qartë se të gjithëve u ka mbetur peng ndeshja e barazuar në shtëpi me Norvegjinë, një ndeshje që sipas tij ka peshuar shumë mbi futbollistët edhe në vazhdimin e eliminatoreve. “Mendoj se udhëkryqi thelbësor i kësaj disfate finale ishte ndeshja në shtëpi në qershor ndaj Norvegjisë. Fakti që zhvilluam një ndeshje taktikisht perfekte, kemi pasur mundësinë të dyfishonim rezultatin më shumë se një herë, ndërsa ata bënë dy gjuajtje në portë në të gjithë ndeshjen, mendoj se pësimi i golit 4 minuta nga fundi, ishte për ne një goditje e tmerrshme. Kjo jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë ambientin. Kemi dalë nga stadiumi me ndjesinë se kemi humbur ndeshjen dhe kjo sipas meje është ndier shumë brenda djemve, pasi këtë goditje e kemi ndier dhe mbajtur me vete për dy muaj, derisa erdhëm në shtator, te dy ndeshjet vendimtare”, ishte komenti i De Biazit, i cili gjithsesi ka bërë të qartë se nuk mendon se ka gabuar gjatë eliminatoreve, thjesht ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitjet e disa lojtarëve.
“Shpesh në jetën time futbollistike kam pasur pengun se nuk kam bërë gjëra ndryshe, pas përfundimit të tyre. Por jo në këtë eksperiencë këtu. Mund të them se më vjen keq vetëm për paraqitjet që mendoja për një lojtar në krahasim me atë të një tjetri. Sigurisht, ajo për të cilën ndiej keqardhje më shumë është se kjo skuadër, për sa u përket golave, mund të kishte bërë më shumë, se kemi fituar gjithmonë me diferencë të ngushtë”.