Rinovim automatik, por Sevija duket e dorëzuar për Banegën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ever Banega i është premtuar Interit, pas një tratative të drejtuar nga zëvendëspresidenti i klubit italian, Havier Zaneti.
Fantazisti i Sevijes është një nga kërkesat e trajnerit Roberto Mançini për sezonin e ardhshëm dhe natyrisht që argjentinasi nuk mund t'i thoshte "jo" një ikone si Zaneti, madje futbollisti përflitet se tashmë ka kryer vizitat mjekësore me zikaltrit dhe ka firmosur një parakontratë nga ana tjetër.
Edhe pse Sevija duket e dorëzuar, drejtori sportiv i andaluzianëve, Ramon Rodriguez Verdeho, i njohur më shkurtimisht si "Monki", ka sqaruar situatën e lojtarit:
"Ever ka një kontratë me ne, në të cilën është shkruar qartë një klauzolë: Nëse ai luan 30 ndeshje me Sevijen, hyn në fuqi rinovimi automatik nga 30 qershori 2016 në 30 qershor 2017. Dhe, për ta bërë realitet këtë, mjafton që ai të luajë vetëm një ndeshje.
Jemi në dijeni për zërat e fundit, por unë nuk dua të prononcohem për to. Për ne si klub e rëndësishme është që Bagena të luajë i përqendruar deri në fund me ne dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë".
Me pak fjalë, "Monki" e ka konfirmuar në mënyrë indirekte se diçka mes Ever Banegës dhe Interit është parashtruar, por, me kontratën dhe rinovimin automatik të saj, Sevija ndoshta do të kërkojë që të rrisë më tej pretendimet për blerjen e lojtarit.