Rikuperohet Zefi, mesfushori gati kundër të kuqve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas pushimit për festën e Pashkëve, laçianët sot do të rinisin përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku në Laç presin Partizanin.
Pjesa e fundit e sezonit i gjen kurbinasit të angazhuar në të dy frontet. Në Kupë do t'u duhet të luftojnë me Skënderbeun për të siguruar finalen, ndërkohë që pas disa rezultateve negative në kampionat bardhezinjtë e kanë primare që të mos gabojnë shumë në nëntë takimet e mbetura.
Në kampionat duhet pasur kujdes, pasi distanca nga vendi i parafundit në tabelë, që të zbret një kategori më poshtë, është vetëm 9 pikë. Zhvillimet e fundit në kampin kurbinas tregojnë se drejtuesit e kanë kapur në moment situatën. Javën që shkoi presidenti Pashk Laska afroi trajnerin Eugent Zeka, i cili së bashku me italianin Marko Bankini kanë marrë frenat e skuadrës me objektiva konkretë. Përpos stabilitetit në kullën drejtuese, lajm i mirë konsiderohet edhe gjendja që gëzojnë lojtarët, pasi të gjithë janë të gatshëm për stafin teknik.
Madje, edhe mesfushori Alfred Zefi është stërvitur me ngarkesë të plotë.
"Po stërvitem njësoj si pjesa tjetër e skuadrës. Mjeku, por dhe unë kemi njoftuar trajnerët se dëmtimin e kam lënë pas, pasi gjatë përgatitjeve të fundit me ngarkesë nuk kam ndier më dhimbje. Në këtë fazë të fundit të sezonit përparësi merr kryerja me rigorozitet e detyrave që do të na ngarkohen.
Dy trajnerë të shkollës italiane besoj se shumë shpejt do t'i japin skuadrës fizionominë e një ekipi pretendent. Ndeshja e radhës me Partizanin pritet të jetë beteja jonë e parë. Qëllimi ynë kryesor si ekip mbetet të marrim pikët e mjaftueshme për të qenë të qetë, ndërsa më pas do të mendojmë për Kupën", tha Alfred Zefi për "Panorama Sport".
Përgatiti: Isuf Myrtaj