e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rikthehet dhuna ne futbollin shqiptar, presidenti i Ballshit rreh me shkop bejsbolli delegatin e FSHF-se

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rikthehet dhuna ne futbollin shqiptar, presidenti i Ballshit rreh me shkop bejsbolli delegatin e FSHF-se

Dhuna rikthehet frikshëm në futbollin tonë. Ndeshja Bylis-Laçi, e vlefshme për javen e 24-të të kampionatit tonë, ka rrezikuar të përfundojë në tragjedi. Presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, ka goditur me mjete të forta në kokë shefin e garave dhe njëkohësisht zv/sekretarin e përgjithshëm të FSHF, Besnik Çela, raporton Sport News.

“Federata Shqiptare e Futbollit kërkon që nëpërmjet kësaj deklarate të bëjë të njohur për opinionin publik dhe mediat, ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot, të shtunën më dt 15.03.2014, në stadiumin e qytetit të Ballshit, gjatë ndeshjes së Kategorisë Superiore Ballshi-Laçi:

Gjatë gjithë kohës, ndaj zyrtarëve të FSHF, të cilët drejtonin këtë veprimtari, në mënyrë të veçantë ndaj delegatit të ndeshjes z. Besnik Çela, është ushtruar presion verbal, në mënyrë të veçantë nga presidenti i klubit të Ballshit, Besnik Kapllanaj. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e FSHF janë përpjekur të ruajnë qetësinë dhe vazhdonin zhvillimin normal të ndeshjes, në zbatim të rregullores. Ngjarja e rëndë, ka arritur kulmin, kur z.Çela, është goditur me dru në kokë nga presidenti Besnik Kapllanaj, pas përfundimit të ndeshjes.

Z. Besnik Çela është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për të qenë nën kontrollin e specializuar të mjekëve kompetentë.

Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht këtë akt të rëndë dhe të dhunshëm, që kërkon të prishë bukurinë dhe imazhin e futbollit. Këto incidente të dhunshme ndaj zyrtarëve të FSHF, që dëmtojnë rëndë lojën dhe prekin thellësisht të gjithë opinionin futbolldashës, do të jenë objekt i ndëshkueshmërisë së të gjitha komisioneve tona, sipas rregulloreve dhe dënimeve më ekstreme, që përcaktojnë ato.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit, i bën thirrje të gjitha organizamve shtetërore, Policisë së Shtetit, prokurorisë, gjykatave që të jenë sa më aktivë në ndëshkimin e fenomeneve të tilla të dhunshme. Pa zbatim rigoroz të ligjit, pa një impenjim serioz të tyre për ndëshkimin e autorëve, gjithçka do të mbetet e mangët dhe për rrjedhojë futbolli, do të jetë gjithnjë i kërcënuar dhe peng i dhunuesve të tij,” thuhet në njoftimin e FSHF.