Riberi: Dua të rinovoj, Gjermania fiton Europianin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Frenk Riberi ka 9 vite që luan me Bajernin dhe plani i tij është që ta mbyllë karrierën te klubi më i titulluar në Gjermani. Gjatë një interviste për "Bild", 33-vjeçari kërkon të rinovojë kontratën me bavarezët, e cila i skadon në vitin 2017.
Gjithashtu ai zbulon një megaofertë nga Kina. Ylli francez flet edhe për rikthimin e Uli Hënesit. "Kam folur pak me Hënesin dhe Rumenigen për një kontratë të re. Unë dua të rinovoj për një ose dy vite të tjera.
Si unë dhe familja ndihen shumë mirë në Mynih", nënvizoi Riberi duke zbuluar një megaofertë nga Kina,- "Nëse do të dëshiroja më shumë para, atëherë do kisha shkuar në Kinë. M'u servir një ofertë e bujshme, por paratë nuk më interesojnë. Unë dua të argëtohem me fansat bavarezë dhe të fitoj sa më shumë tituj me Bajernin. Ky është klubi im", tha Riberi. Më pas ai mban qëndrim për rikthimin e Uli Hënesit.
"Karl-Hainc Rumenige dhe Uli Hënes kanë formuar një binom gjenial. Bajerni është Uli me Kalen. Ançeloti më donte kur ishte te Çelsi, por Hënes nuk donte. Prandaj kam besim tek Ançeloti". Në fund mesfushori francez mban qëndrim edhe për favoritët e Europianit në Francë.
"Është shumë e rëndësishme fryma dhe atmosfera brenda Gjermanisë. Për mua, Gjermania fiton Europianin", përfundoi Riberi. Ashtu si Riberisë, edhe Robenit i skadon kontrata në verën e vitit 2017. "Robbery" duan të qëndrojnë gjatë në Mynih.
"Nuk është lojtari që i thotë klubit: Çfarë nuk shkon? Jepni sinjale edhe ju!" nënvizon 32-vjeçari, i cili ka veshur fanellën e Bajernit nga viti 2009. Më pas ai tha: "Të dyja palët gëzojnë respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin. Unë e di se çfarë më ofron Bajerni dhe anasjellas".