e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rezart Taci: Une jam pronari i Albpetrol

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rezart Taci: Une jam pronari i Albpetrol
Biznesmeni i njohur i karburanteve, Rezart Taçi rezulton të jetë një ndër aksionerët kryesorë në konsorciumin ‘Vetro Energy’, i cili pak ditë më parë dha ofertën më të lartë për blerjen e Albpetrolit, 850 milionë euro. Në daljen e parë publike për median,  Matheë Roszak, presidenti i ‘Vetro Energy’ e ka prezantuar Rezart Taçin si partnerin kryesor me 51 për qind të aksioneve dhe si president të kompanisë “YPO Holdings”, që është partneri kryesor në konsorcium. “Arritjet e Taçit kanë qenë shumë të thella dhe jemi shumë të nderuar që jemi partnerë të tij në këtë sipërmarrje. S’do kishim marrë pjesë në tender pa ‘Taçi Oil”, – tha Roszak.

Rezart Taçi ka pohuar se do të investojnë 220 milionë USD në pesë vjet tek “Albpetrol” dhe do të mundësojnë që kërkesa e brendshme për naftë të plotësohet vetëm nga tregu vendas. “Do të riaktivizojmë puset joaktive dhe do të hapim puse të reja, – tha ai. – Me blerjen e Albpetrolit, kompanitë e grupit të Rezart Taçit do të mbyllin ciklin, duke prodhuar, rafinuar dhe shitur naftë. Grupi ynë me këtë projekt plotëson ciklin e tij të biznesit, ose siç thuhet në terminologjinë e fushës ‘integrohet vertikalisht’, që do të thotë se nxjerr, rafinon dhe shet tek konsumatori fundor”, – tha Taçi. Ai theksoi gjithashtu se nga ky integrim konsumatori do të përfitojë produktet shqiptare me kosto më të ulët; përfitojnë punonjësit shqiptare, sepse rafinimi në industrinë vendase i naftës bruto që është pasuri kombëtare, do të sjellë të ardhura shtesë edhe për ta.

Taçi shtoi ndërkaq se përfiton ekonomia shqiptare nëpërmjet hapjes së mundësive për industritë mbështetëse dhe rritjes së të ardhurave nga taksat që derivojnë nga përpunimi në vend i naftës bruto. Kompania ‘Vetro Energy’ planifikon të realizojë një plan të madh investimesh në shumën 220 milionë dollarë. Plani i investimeve të kompanisë konsiston në rritjen graduale të prodhimit përmes riaktivizimit të 1048 puseve joaktive, për të cilat do të aplikohen metodat moderne të nxjerrjes së naftës. Duke prezantuar drejtimet themelore të planit të biznesit të zhvillimit të Albpetrolit, Rezart Taçi tha se “një vëmendje e madhe do t’i kushtohet ruajtjes së mjedisit, ndalimit të rrjedhjes së naftës bruto në mjediset e hapura, përmirësimit të situatës teknike të puseve përmes zëvendësimit të pompave dhe pjesëve të tyre, pastrimit të sipërfaqes së tokës, rrethimit të puseve etj”.

Kush është Rezart Taçi

Pak orë pas hapjes së ofertave Taçi u përfol si njeriu që ishte pas konsorciumit ‘Vetro Energy’, por në fakt ai tashmë zyrtarisht është blerësi kryesor i Albpetrolit. Pak vite më parë, pak a shumë në të njëjtën mënyrë në bashkëpunim me kompani të huaj, po amerikane, Rezart Taçi ka privatizuar kompaninë shtetërore të rafinimit të naftës, ARMO. Rezart Taçi renditet sot si një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri. Përmes kompanive të tij të naftës, “Taçi Oil”, “Kuid” dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 34 miliardë lekësh në 2011-ën (rreth 250 milionë euro), me një rritje prej 130% në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të ARMO-s. Krahas biznesit të naftës, “Taçi Grup” vitet e fundit është zgjeruar dhe në media përmes blerjes së televizionit “Alsat”, tashmë të shndërruar në “Albanian Screen”, ku ka investuar ndjeshëm për ndryshimin e formatit televiziv dhe në arsim përmes shkollës private “Nobel”.

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve ai rezulton si aksioner në 15 kompani, ndër të cilat edhe Banka Credins. Gjatë pesë viteve të fundit, Rezart Taçi ia ka dalë që të shndërrohet në biznesmenin kryesor të naftës në tregun e pakicës, ndërsa në total në këtë treg ai renditet pas “Kastrati & Kaspetrol” dhe “Elda Petroleum”, që janë dy shoqëritë më të mëdha të naftës në vend në bazë të xhiros vjetore dhe mbizotërojnë në tregun e shumicës.

Vetro Energy, ja aksionerët e konsorciumit

Aksionerët e “Vetro Energy” janë “YPO Holdings” dhe “SilkRoad Equity”. “SilkRoad Equity” është një firmë globale investimesh me portofola të diversifikuar të kompanive publike dhe private. Në dekadën e fundit kompania ka realizuar transaksione në vlerë 5 miliardë dollarë. Qendra e saj është në Çikago. Ajo rezulton aksionere me 49 për qind të aksioneve në ‘Vetro Energy’. Ndërsa “YPO Holdings” zotërohet nga aksioneri kryesor Rezart Taçi, i cili ka 51 për qind të aksioneve në “Vetro Energy”. Dy partnerët menaxhues të konsorciumit janë “Huddleston Energy Advisors” dhe “Home Creek Energy”, të dyja kompani me përvojë në fushën e naftës dhe të inxhinierisë gjeologjike, e para e përqendruar në analiza për naftën e gazin dhe vlerësime gjeologjike dhe e dyta, një operator direkt nxjerrës i naftës dhe i gazit natyror.

“Home Creek” ka për president dhe njëkohësisht drejtor të përgjithshëm ekzekutiv Anthony Maye. Ndërsa, “Huddleston” ka si president Peter Huddleston dhe është një kompani që operon në treg që nga viti 1967, – njofton vetë kompania. “Vetro Energy” është e certifikuar me ISO 9001, duke plotësuar kështu kërkesën bazë të ligjit për formulën e privatizimit, pa të cilën, pavarësisht nga shuma e lartë e ofertës, komisioni nuk mund të jepte ‘OK’-in për vijimin e saj në fazat e mëpasshme të tenderimit.