e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Replika Berisha-Ruci, Ruci: Opozita nuk e jep voten per ligjin e pleherave

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Replika Berisha-Ruci, Ruci: Opozita nuk e jep voten per ligjin e pleherave
Vijojnë debatet në Kuvend, lidhur me miratimin e ligjit mbi menaxhimin e mbetjeve. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se, “Kjo ditë shënon de fakto themelimin e “partisë të plehut”. Pasi u themelua aleanca e plehut u përhap epidemia “o burra se po kërkohet vota në plehra”. Berisha theksoi se ligji për mbetjet mbron Shqipërinë nga mbetjet toksike ndërsa i cilësoi deklaratat e deputetëve socialistë si shpifje.  “Thelbi dhe qëllimi i ligjit është mbrojtja nga mbetjet toksike. Por le ti shohim gjëra jashtë shpifjeve dhe sharjeve sesa ju sa më shumë shpifet aq më lart ecni në shtyllën e turpit” , tha Berisha.

Berisha theksoi se opozita nuk ka alternativa për t`i paraqitur shqiptarëve por e vetmja rrugë e tyre është krijimi i “partisë së plehut”.  “Ky ligj i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të parlamentit të gjitha plehrat toksike. Ky ligj i imponon qeverisë që mbetjet jo toksike të lejohen të importohen jo si u vendos në 2003 ku këta zotërinj ishin në pushtet dhe duke zgjedhur partinë e plehur nuk do ta shohin pushtetin edhe pas 20 viteve” , shtoi Berisha. Në replikë të atyre çfarë tha Berisha, fjalën e mori, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Në emër të opozitës kryetari i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruçi është shprehur kundër ligjit për importin e mbetjeve dhe ka kërkuar referendum për t`i lënë shqiptarët të vendosin. Gjate fjalës së tij, si reagim pas fjalës së Berishës, Ruçi ka deklaruar se opozita jo vetëm nuk e jep votën për këtë ligj, por nëse ai miratohet, do të jetë i pari që opozita do rrëzojë sapo të vijë në pushtet.

“Mos na trazo ne me punët e tua. Ti kërkon të zhvillosh luftën tënde politike me opozitën. Ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Ti s`mund të na imponosh dot alternativën tënde. Aleanca jonë sot është me qytetarët, me problemin. Nëse miratohet ligji atëherë ai do të jetë ligji i plehrave që bashkë me qeverisjen tënde të zhduken edhe plehrat nga Shqipëria” ka thënë Ruçi.