Reali tremb Juven, e mban 'gjalle' Lorente
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventus-Real Madrid ishte një spektakël madhështor, një ndeshje mbase më dëfryese sesa pritej. Bardhezinjtë ashtu si në Spanjë luajtën sërish mjaft mirë, ndonëse me 8 minuta të çmendura, por edhe njëherë tjetër nuk mjaftoi të fitojnë, sepse në fund shifrat tregojnë 2-2. Dhe të mendosh që ky barazim është jo vetëm i pari në 16 takimet e fundit, por një rezultat pozitiv, duke parë humbjen e Gallatasarajit në Kopenhagen. Prandaj, edhe pse të fundit në grup për momentin, torinezët e kanë në dorë fatin e tyre të kualifikimit.
Gaz në maksimum Pjesa e parë e bardhezinjve është fantastike, me Realin që tregon fillimisht frikë ndaj të zotëve të shtëpisë, ndonëse me kalimin e minutave do e marrin ata ndeshjen në dorë. Konte dhe Ançeloti zgjedhin dy skuadra identike, 4-3-3, por zgjedhjet e juventinit duken më bindëse kundrejt “mësuesit” të tij. Bardhezinjtë janë perfektë në fillim, me Pogbanë që duket sikur vallëzon në fushë dhe me topat e tij në zonë detyron Pepen që të rrezikojë një autogol që në minutat e para, por Kasijas është i vëmendshëm. Përballë Realit të Madridit, Juventusi duket më “galaktik” se “galaktikët” e vërtetë, sepse luan qetë dhe vetëm sulmon, por më i miri në fushë është portieri Kasijas që, në mesin e pjesës së parë, ndal një goditje me kokë të Markizios, i cili ende pa shkelur tokën po mendonte të festonte avantazhin. Por, pas disa tentativash me miqtë që po flinin gjumë në pjesën e parë, minuta e 40-të ndez “Juventus Stadium”. Pogba hyn në zonë dhe ndalet me një ndërhyrje nga prapa në dëm të Pogbasë.
Për “policin rrugor” Hauard Ueb, Reali duhet të paguajë gjobën e këtij aksidenti, penallti, të cilën Vidal e ekzekuton në mënyrë perfekte dhe pjesa e parë mbyllet 1-0. 8’ jashtëtokësorësh Sa i përket pjesës së dytë, ajo nis krejt ndryshe, me Realin e Madridit që kërkon të meritojë nofkën e “galaktikëve” dhe që brenda 8 minutash përmbys gjithçka. Në minutën e 7-të, Kristiano Ronaldo barazon dhe falënderon Kaseresin që kthen topin gabimisht prapa për Benzemanë. Ky i fundit nuk mendohet dy herë, por pason në të majtë të zonës për Kristianon, i cili pasi e përkëdhel sferën e dërgon mbi Bufonin. Kaq mjafton dhe Reali fiton besim e ritëm. Juvja, që nuk arrin t’u besojë syve, duhet të zgjohet në mes të një makthi, kur tabela elektronike në të 60- ën tregon edhe emrin e Bejlit në listën e golashënuesve. Uellsiani merr një pasim në hyrje të zonës dhe me të majtën e tij dërgon topin mes tre mbrojtësve bardhezi dhe në cepin ku Bufon nuk mund të arrijë.
Reagon Jorente E pabesueshme, por e vërtetë. Reali i Madridit është në avantazh 2-1, një rezultat që e ka hundën më të gjatë edhe se ajo e Pinokut. Mirëpo, nëse nuk do kishte qenë për traversën e Ksabi Alonsos, ndeshja mund të ishte mbyllur shumë shpejt për vendësit që dominuan në 45 minutat e para. Por Fernando Jorente po rikthehet ai që mahniti tek Atletik Bilbao dhe, mbi të gjitha, po konfirmon se është një burrë i fjalës: “Realit i shënoj sa herë që e kam përballë”. Dhe ashtu siç premtoi në sfidën e parë, edhe në të dytën ai konfirmon abonimin e tij me golin. Minuta e 64-t, Kaseres shlyen fajin në rastin e golit të Ronaldos dhe pikturon një krosim të saktë me kokë, që Jorente e dërgon në rrjetë, ndonëse mbi shpatullat e tij qëndronte i varur Varane. 2-2 dhe mes shumë takticizmave dhe frike për të mos pësuar, ndeshja ndalet në barazim, me Realin që prek 1/ 8-at e Champions-it, por mbi të gjitha me Juventusin që tashmë sheh rrugën të hapur drejt kualifikimit të përbashkët.
Reali nuk vlen realisht ato qindra milionë”
Antonio Konte rigjen buzëqeshjen edhe në Champions, sepse Juves së tij tashmë mund t’i mjaftojnë vetëm 4 pikë në dy ndeshje për t’u kualifikuar (gjithmonë nëse Reali mund Gallatasarajin). “Juves sime do i vija një notë shumë të lartë për të dyja ndeshjet e ofruara kundër Realit. Në pjesën e parë pashë një Juve perfekte, ashtu siç ëndërroj të jetë gjithmonë, por edhe reagimi pas përmbysjes ishte ai që më pëlqen mua. Pikërisht falë këtij barazimi dhe humbjes së Gallatasarajit në Danimarkë mund të shohim të qetë përpara. Kualifikimi? Tani është gjithçka në dorën tonë, por mbi të gjitha më pëlqeu që diferenca e qindra milionëve në fushë nuk u duk aspak ndaj Realit. Prandaj, fillimisht sigurojmë 1/8-at dhe më pas nuk do i vëmë asnjë limit vetes, por do i japim gaz deri në fund”.
“Juventus, kualifikimin ta falim ne”
Karlo Ançeloti e sheh kualifikimin matematikor dhe vendin e parë në grup vetëm 1 pikë larg, por në të njëjtën kohë ai fiton titujt e medias kryesore, pasi i premton Juventusit që do luajë në vazhdim edhe për ta: “Në pjesën e parë Juvja na dominoi, sepse ne po mbronim shumë pranë portës dhe nëse nuk do ishte për Kasijasin, do kishim pasur një disavantazh edhe më të thellë. Por në pjesën e dytë doli në skenë Reali i vërtetë, ndaj barazimi mendoj se ishte i drejtë. Juventusi është në dorën tonë? Duke parë rezultatin e Gallatasarajit në Kopenhagen, jam i bindur që skuadra e Kontes do të jetë me ne në 1/8-at. Unë premtoj vetëm që turqit nuk do i tolerojmë në Madrid, përkundrazi do i mundim dhe se do ia bëjmë më të lehtë transfertën e fundit në Stamboll Juves”.