e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reali fiton, arbitri i 'dhuron' penallti

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reali fiton, arbitri i 'dhuron' penallti

Reali i Madridit ka marrtë tri pikë të arta, por mes polemikave. Arbitri Munjiz Fernandez ka akorduar një penallti të dyshimtë në minutën e 95-të, e cila ka mjaftuar që Kristiano Ronaldo të vulosë fitoren 2-1 në transfertën kundër Elkes. Karlo Ançeloti e nisi ndeshjen me formacionin e tij “tradicional”, me ndryshimin e vetëm që Di Maria dhe Koentrao zëvendësonin mungesën e Bejlit dhe Marselos. Në fakt, Elke krijoi një “mur” shumë të vështirë për t’u kaluar, duke u krijuar mjaft vështirësi miqve që të gjejnë hapësira. Pjesa e parë e lojës nuk pati raste të shumta për shënim, por gjyqtari i takimit u bë protagonist duke falur Serxhio Ramosin, i cili meritoi plotësisht kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar në dëm të Ruben Perezit. Në pjesën e dytë, mendoi Kristiano Ronaldo për të zhbllokuar rezultatin, kur në të 51-n realizoi me goditje dënimi.

Gjuajtja e tij potente nga rreth 20 metra ishte e pamundur për t’u pritur nga portieri Herrera. Në fakt, kur dukej se ndeshja do përfundonte me një gol, ishte Boakje që shokoi madrilenët. Në minutën e 91-të, ai goditi bukur me kokë brenda zonës, duke barazuar gjithçka. Një gol që nisi festën e tifozërisë së Elkes, por që nuk zgjati shumë. Edhe pse akordoi tri minuta shtesë, në të 95-n Munjiz Fernandez “dhuroi” një 11- metërsh për Realin. Pas një dyluftimi mes Karlos Sançezit dhe Pepes, ky i fundit u rrëzua dhe gjyqtari drejtoi dorën nga pika e bardhë, edhe pse ishte një vendim tejet i dyshimtë. Protestat e ashpra të futbollistëve vendës nuk mjaftuan që ai të ndryshojë mendim. Kristiano Ronaldo u tregua i pagabueshëm, duke i dhuruar suksesin skuadrës. Një trepikësh me shumë rëndësi, por i fituar mes shumë polemikash…