e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reali do shese nje, Kakane a Ronaldon

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reali do shese nje, Kakane a Ronaldon
Reali i Madridit do të jetë i detyruar të shesë një mes Kristiano Ronaldos, Rikardo Kakasë dhe Karim Benzemasë sezonin e ardhshëm. Shkaku? Kërkesa emergjente e rikthimit të huas së bankës që i dha kredinë 76.5 milionë euroshe për transferimin e yllit portugez nga Mançester Junajtid në verën e vitit 2009. Lajmi se sulmuesi luzitan është vendosur si kolateral në rast se klubi nuk arrin ta shlyejë borxhin brenda këtij viti, u bë publik në korrik të vitit 2011 nga gazeta e përditshme gjermane “Suddeutsche Zeitung”. Por tani që banka ka shpallur falimentin dhe ka ndërruar pronar, ajo kërkon shlyerjen e borxhit nga Reali përpara maturimit të afatit.

Garancia - Florentino Perez mbylli një marrëveshje shumë të diskutueshme me bankën “Caja Madrid” verën e vitit 2009. Presidenti i Realit mori një hua prej 76.5 milionë eurosh nga banka “Caja Madrid”, me të cilën ai pagoi pjesën më të madhe të kartonit të Kristiano Ronaldos për ta transferuar në “Santiago Bernabeu”. Reali hoqi një sërë peripecish për ta përfituar kredinë, sepse me Spanjën në mes të krizës, aksionerët kishin vendosur t’i ndalonin dhëniet e kredive mbi 10 milionë euro, në një kohë kur tregu bankar kishte kaluar në kolaps për shkak të kredive të këqija prej pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë që si garanci të huas, Perezit iu kërkua të linte Kristiano Ronaldon dhe Rikardo Kakanë. Por “Caja Madrid” shpalli falimentin dhe sot ka ndërruar pronësi dhe emër. E transformuar në bankën e re “Bankia”, ajo ka marrë një kredi nga shteti për të shpëtuar aktivitetin e saj dhe sot kërkon 10.000 milionë euro nga fondet publike për të shmangur falimentin. Por zor se Reali do të heqë dorë nga shënuesi më i mirë i saj, Kristiano, prandaj ai që pritet t’i japë lamtumirën skuadrës është Kaka, me PSG-në dhe Milanin gati për ta rrëmbyer.

Merkatoja - Në verën e vitit 2009, Reali i Madridit bëri merkaton më të fuqishme jo vetëm në Spanjë, por edhe në Evropë. “Galaktikët” afruan nga Milani fantazistin brazilian Rikardo Kaka për shumën e 68 milionë eurove, por goditja më e madhe në historinë e transferimeve ishte Kristiano Ronaldo. Për kartonin e portugezit Florentino Perez i pagoi Mançester Junajtid 94 milionë euro. Veç Kakasë dhe Ronaldos, Reali transferoi nga Lioni edhe Karim Benzemanë për 35 milionë euro dhe Ksabi Alonson nga Liverpuli për 32 milionë euro. Pjesë e afrimeve ishin dhe Raul Albiol për 15 milionë euro nga Valencia, Granero për 4 milionë euro nga Getafe dhe Alvaro Arbeloa për të njëjtën shumë nga Liverpuli.