e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

5 mije bileta brenda dites, Lushnja-Kukesi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
5 mije bileta brenda dites, Lushnja-Kukesi
Kryefjala në qytetin e Lushnjës është takimi me Kukësin, që do të luhet të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu”. Një ndeshje e cila për këdo është një histori, pasi skuadra verdhejeshile i ka shanset që të kalojë direkt në Superiore, ku ka disa vite që mungon. Por, për këtë 90- minutësh, ekipit i duhet të fitojë me 3 gola diferencë, pasi vetëm kështu do të bëjë hapin e madh të ngjitjes një kategori më lart. Skuadra duket e qetë përpara kësaj sfide, por të gjithë janë të mendimit se përkundër vështirësive, ata do të fitojnë.

Biletat Dje kanë dalë në treg biletat për takimin e së shtunës, të cilat kanë pasur shumë interes nga qytetarët lushnjarë. Një fakt i tillë është parë nga blerja e tyre, kur vetëm brenda ditës janë shitur rreth 5000 mijë bileta. Kanë mbaruar të gjitha biletat e tribunës e po ashtu edhe pjesa ballore e stadiumit “Roza Haxhiu”. Një shifër që tregon qartë interesimin e tifozërisë lushnjare, e cila do të vijojë të rritet edhe në ditët në vazhdim, ndërkohë është mësuar se ka pasur interesim edhe nga qytetet përreth. Stadiumi i Lushnjës ka një kapacitet prej 12 000 mijë vendesh dhe ka pak shanse që atë ditë të ketë ndonjë vend bosh, pasi të gjithë do të jenë me një mision, të mbështesin ekipin e tyre për ta çuar në Superiore.

Xhafa Mbrojtësi Erjon Xhafa, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet në lidhje me këtë takim: “Është një ndeshje e vështirë, sepse na duhet të fitojmë këtë takim dhe për më shumë, me 3 gola diferencë. Asgjë nuk është e pamundur, dhe ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të sakrifikohemi që të gjithë për të arritur te fitorja. Jemi të qetë dhe të bindur në vlerat tona, pasi kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët kanë eksperiencën e duhur për ta çuar këtë ekip drejt suksesit. Për ne kjo është një finale, të cilën mezi po e presim, ndaj me këtë rast dua të ftoj të gjithë tifozët e qytetit të Lushnjës të jenë sa më të shumtë në këtë takim, të tregojnë kulturën e tyre duke na mbështetur e duke treguar ‘fairplay’”, u shpreh Xhafa. Lushnja kërkon historinë me këtë takim, të fitojë dhe të kalojë në Superiore. “Unë kam shumë besim te ky ekip se do të dimë ta kalojmë si duhet takimin e së shtunës me ekipin e Kukësit”, përfundon prononcimin e tij mbrojtës i lushnjarëve, Erjon Xhafa.

GRUMBULLIMI

Duke parë rëndësinë e këtij takimi, ekipi dje, pasi ka kryer stërvitjen, është mbledhur në ambientet e hotelit “Eldon Park”, që është në dalje të qytetit të Lushnjës. Skuadra do të jetë e grumbulluar atje deri ditën e takimit, për të qenë sa më larg trysnisë që ka kjo ndeshje. Dihet që kjo sfidë është decizive dhe në qytet ka nisur të ndihet atmosfera.

MASAT

Një punë të veçantë do të ketë edhe policia në këtë takim, për të mbajtur nën kontroll tifozërinë verdhejeshile, e cila pritet t’i kalojë të gjitha standardet. Në një deklaratë, drejtori i Policisë Bashkiake, Sulo, shprehet: “I ftojmë të gjithë tifozët që të jenë sa më të shumtë në stadium dhe të respektojnë të gjitha rregullat pa kaluar asnjë cak”.

Sfida në “Supersport”

Ndeshja e javës së fundit e Kategorisë së Parë, Lushnja-Kukësi, do të transmetohet drejtpërsëdrejti në platformën sportive “Supersport”. Marrëveshja ndërmjet palëve është arritur dje. Është hera e dytë brenda një jave që kjo platformë sportive transmeton ndeshje të Kategorisë së Parë. Për herë të parë, “Supersport” dha live sfidën e javës së kaluar, Kukësi-Luftëtari.