e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reali dhe PSG, me nje kembe ne gjysmefinale

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reali dhe PSG, me nje kembe ne gjysmefinale

Real Madridi dhe PSG kanë hedhur një hap drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, duke fituar ndeshjet e para çerekfinale ndaj Borusia Dortmund dhe Çelsit. Madrilenët e kanë pasur shumë të thjeshtë të triumfonin përballë ekipit gjerman, në një sfidë të dominuar me lehtësi. Ndërsa ndeshja tjetër, edhe pse më e ekuilibruar, ka treguar se parisienët janë kandidatë seriozë jo vetëm për ndeshje të denja në Ligën e Kampioneve, por edhe për të kërkuar objektiva historikë në këtë turne.

Ndeshja e “Santiago Bernabeu” filloi me një gol të shpejtë, pasi Garet Beil iu deshën vetëm tri minuta për të gjetur rrugën e rrjetës në këtë sfidë. Avantazhi i shpejtë lehtësoi madrilenët që dominuan në lojë dhe në raste të krijuara, duke u shfaqur më shpesh para portës së Vaidenfeler, falë edhe një mbrojtje jo shumë të kujdesshme të skuadrës së Klop. Në një nga këto raste, Isko gjuajti në hyrje të zonës, duke dërguar topin në rrjetë, për të dyfishuar shifrat. Vetëm pas pësimit të golit të dytë, Borusia dha shenjat e para të lojës së mirëfilltë ofensive, me dy raste të Groskrojtz e Aubamejang që gjithsesi nuk e kaluan Kasijas.

Por në momentin më të mirë të ekipit gjerman, erdhi goli i tretë i madrilenëve, me autor Kristiano Ronaldon, që realizoi golin e 14 personal në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, duke barazuar rekordin e vendosur nga Mesi në vitin 2012. Por portugezi nuk pati mundësinë të përmirësonte këtë shifër, pasi u detyrua të largohej para kohe nga fusha e lojës, për shkak të një dëmtimi muskulor. Pavarësisht insistimit të madrilenëve për të gjetur një gol të katërt, ai nuk erdhi, duke i lënë një shpresë të vakët Borusias për një përmbysje në ndeshjen e kthimit, ku në fushë do të jetë edhe Robert Levandovski.

Në takimin tjetër, PSG ka vërtetuar se nuk ishte rastësi që shumëkush e cilësonte si favorite për kalimin në gjysmëfinale përballë Çelsit. Francezët kanë kaluar shpejt në avantazh me anë të Lavecit, i aftë të përfitonte nga një largim i gabuar i Territ. Por Hazard rivendosi barazinë në shifra falë një penalltie të fituar nga Oskar, duke mposhtur Sirigun nga pika e bardhë. Mesfushori belg iu afrua golit të dytë pak minuta më vonë, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.

Megjithatë, parisienët morën kontrollin e plotë të ndeshjes në pjesën e dytë dhe autogoli i David Luiz pas një goditje dënimi të Lavecit ishte “shpërblimi” i një këmbënguljeje të gjatë para zonës së Çeh. Dëmtimi i Ibrahimoviç dhe largimi i tij nga fusha e lojës nuk bëri shumë ndryshim, pasi PSG, jo vetëm që vazhdoi të sulmonte, por edhe arriti të gjente golin e tretë me Pastoren, i cili në minutat shtesë, vulosi rezultatin përfundimtar 3-1 për ekipin e tij. Me këtë rezultat, parisienët mund të shkojnë të qetë në Londër, ku luajnë përballë një ekipi i cili pas penalltisë së Hazard, nuk dërgoi asnjë gjuajtje tjetër në kuadrat.

 

PSG-Çelsi  3-1

4’ Laveci, 61’ (ag) D. Luiz, 90’+3’ Pastore / 27’ (p) Hazard

PSG: Sirigu, Zhalet, Aleks, T. Silva, Maksuell, Verrati (75’ Kabaje), T. Mota, Matuidi, Kavani, Ibrahimoviç (68’ Lukas), Laveci (85’ Pastore).

Tr: L. Blank

Çelsi: Çeh, Ivanoviç, Kahill, Terri, Azpilikueta, Ramires, D. Luiz, Uillian, Oskar (72’ Lampard), Hazard, Shyrle (59’ Torres).

Tr: Zh. Murinjo

KV: Aleks, T. Mota, Kavani / Ramires, Uillian, D. Luiz

Gjyqtar: Milorad Mazhiç (Serbi)

 

R. Madrid-B. Dortmund 3-0

3’ Beil, 27’ Isko, 57’ K. Ronaldo

R. Madrid: Kasijas, Karvahal, Pepe, S. Ramos, Koentrao, Modriç, Alonso, Isko (71’ Ijaramendi), K. Ronaldo (80’ Kasemiro), Benzema (75’ Morata), Beil.

Tr: K. Ançeloti

B. Dortmund: Vaidenfeler, Pizhçzhek (67’ Shiber), Papastatopulos, Humels, Durm, Kehl (74’ Jojiç), Shahin, Groskrojtz, Mkhitarian (64’ Hofman), Rojs, Aubamejang.

Tr: J. Klop

KV: Rojs, Kehl

Gjyqtar: Mark Klatenburg (Angli)