e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Real Madrid 3-0 Volfsburg/ Notat për skuadrat

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Real Madrid 3-0 Volfsburg/ Notat për skuadrat

REAL MADRID marcelo-ronaldoNavas 6 - Iu desh të tregonte se ishte në fushë vetëm në gjuajtjen silurë të Gustavos nga 25 metra. Më pas spektator. Në ato pak gjuajtje që bëri Volfsburgu drejt portës, ose ishin jashtë kuadratit, ose shumë të dobëta.

Karvahal 6,5 - Ndryshimi i vetëm i Zidanit krahasuar me ndeshjen e parë, por shumë i goditur. Dha asistin e golit të parë të Ronaldos dhe mori pjesë edhe në aksionin e golit të dytë. Vrapoi si i çmendur gjatë gjithë ndeshjes dhe ndonëse bëri ndonjë gabim në fazën mbrojtëse meriton një elozhe. Elastik.

Ramos 6,5 - 372 ndeshje me fanellën e Realit. Gjuajti traversën që në start duke treguar edhe një herë se sa i rrezikshëm është në goditjet standarde. Në pjesën e dytë sërish shtylla i mohoi golin dhe sërish nga një goditje këndi. Nuk vuajti asnjëherë në fazën mbrojtëse. Shtylla e mbrojtjes.

Pepe 6 - Bashkë me Ramosin ia del të neutralizojë më së miri mbrojtësit kundërshtarë. E ka kuptuar se në ndeshje të rëndësisë së veçantë edhe një gabim i vogël të eliminon. Asnjë gabim për 90 minuta.

Marselo 6 - E humbi vetëm një herë duelin me Henriken, por kjo është e pranueshme kur sheh se sa i zhdërvjellët është në fazën sulmuese. I dha një asist të vyer Benzemasë dhe çorientoi praktikisht gjithë mesfushën me iniciativat që ndërmerrte duke i dhënë epërsi numerike të ndjeshme Realit në repartin qendror. Polivalent.

Modriç 6,5 - I shkëlqyer në zotërimin dhe menaxhimin e topit. Bën gjithnjë gjënë e duhur dhe i guximshëm në dyluftimet kur nuk ka top. Fitoi faullin nga ku erdhi edhe goli i tretë i Ronaldos. Fantastik për vizionin e lojës.

Kasemiro 6,5 - Vendos rregull në mesfushë, ashtu siç i pëlqen Zidanit. Vertikalizime si Sedorf dhe ndërhyrje të pastra si Makelele. Shumë autoritar.

Kros 6,5 - Dha asistin e golit të dytë për Ronaldon nga goditja e këndit. Më pas orienton si duhet fazën sulmuese të Realit dhe sa herë skuadra përhumbet nga presingu i Volfsburgut, është ai që shpik diçka për t'i dhënë kthjelltësi Realit dhe për t'i kapur gjermanët në kundërkohë. Është rritur ndjeshëm edhe në fazën mbrojtëse.

Bale 6,5 - Dakord, i mungon shumë goli, por në të djathtë Rodriguez nuk arriti ta bllokonte asnjëherë. Ngacmues vazhdimisht dhe mban nën tension mbrojtjen e Volfsburgut. E detyron Gustavon të sfilitet duke i dhënë një dorë mbrojtjes, por pikërisht kjo ishte ideja: uellsiani "djeg" dy lojtarë dhe Ronaldo vallëzon në fushë.

Benzema 7 - E nis shumë mirë dhe shkon pranë golit që në start. Perfekt taktikisht dhe nuk e ul ritmin për asnjë minutë. Mbrojtja e gjermanëve nuk arriti kurrë të spostohej pak më lart edhe prej tij, çka i pengoi "ujqërit" që të bënin presing të organizuar, duke lënë shumë zona boshe.

Ronaldo 9 - Kjo ishte tripleta e 35-të në karrierë dhe pa dyshim ndër më të rëndësishmet. E vendos ai se kush shkon në gjysmëfinale dhe këtë e bën i vetëm. Gol me kokë, me këmbë dhe me goditje dënimi. Karikon të tijtë pas dy golave të shënuar me shpejtësi dhe më pas bëhet tmerri i rivalëve në çdo top që kap. Numra të çmendur për një lojtar të magjishëm. Ylli i një "Bernabeu" që dje ishte si vullkan.

Trajneri Zidan 7 - Të përmbysësh një humbje 2-0 nuk mjafton vetëm të jesh Reali, por edhe të bësh zgjedhjet e duhura. Francezi u tregua një nxënës i përulur dhe demonstroi se kishte studiuar mirë. I copëtoi repartet Volfsburgut duke bërë presing të çmendur me sulmuesit te mbrojtësit rivalë për topin e parë dhe presing asfiksues mbi mesfushorin Draksler. Volfsburgu ra në kurth dhe tregoi se nuk kishte plan B. I aftë që e frenoi skuadrën të kalonte në eufori pas dy golave aq të shpejtë. Ka të ardhme.

VOLFSBURG

Benaljo 6 - Vendimtar në ndeshjen e parë, por dje nuk mundi të bënte asgjë. Jo për faj të tij, por sepse rivali ishte i frikshëm. Bëri mrekulli te gjuajtjet e Benzemasë dhe Heses.

Vieirinja 5 - Paraqitje e dobët. Në minutën e 16-të evitoi një gol në zonë, por e çoi në goditje këndi prej nga erdhi edhe goli i parë i Ronaldos. Më pas, Marselo e kalon sa herë të dojë, duke e përqeshur së bashku me Benzemanë...

Naldo 4 - 15 minuta me përqendrim total, por më pas i ikën Ronaldo dhe Volfsburgu e pëson. Pas 120 sekondash portugezi i ikën dhe e ndëshkon sërish... I tmerrshëm edhe në golin e tretë, sepse spostohet në barriere dhe topi kalon pikërisht aty. Ndeshje për t'u harruar.

Dante 5 - E nisi mirë, por nuk mjafton për të përballuar një kundërshtar si Reali. Në minutën e 69-të ishte pranë golit pas një gjuajtjeje me kokë, por Navasi e priti lehtë. Asgjë e jashtëzakonshme.

Rodriguez 5 - Në minutën e 8-të bëri një mrekulli kundër Ronaldos, por më pas Bejli nis t'i marrte frymën me galopime dhe ai bie vazhdimisht në aspektin fizik.

Guilavogui 5,5 - Dha një kontribut të çmuar në mesfushë, por rivalët e tij ishin në një mbrëmje magjike dhe ai nuk bëri dot diferencën. Shumë dëshirë, por i vetmuar.

Gustavo 5,5 - I detyruar nga madrilenët që të mos bëjë praktikisht asgjë në fazën ndërtuese të aksioneve. Provon nga distanca dhe e vetmja gjuajtje e rrezikshme është pikërisht e tija. Por, më pas, përhumbet në detyra mbrojtëse. Mjaftueshëm.

Henrike 5,5 - Shtyn shumë në të djathtë, por në minutën e 38-të gabon një gol të sigurt në zonë. (Nga 73´, Kalixhuri 5 - Hyn në fushë pas një muaji mungesë prej dëmtimit, por nuk lë asnjë shenjë).

Arnold 5 - Nuk arrin të japë asnjë shkëndijë, ndryshe nga sa ndodhi në ndeshjen e parë. Nervoz më shumë se sa duhet dhe pak i guximshëm.

Draksler 5,5 - Ndeshje e vështirë për xhevahirin e Volfsburgut që u markua pa mëshirë nga Modriç dhe Karvahal. Tentoi të bënte diçka, por ekipi i tij i pësoi shumë shpejt 2 gola. Doli i dëmtuar në minutën 31´. (Nga 31´, Kruse 5 - Vetëm një minutë pasi hyri pati një shans të artë, por e shpërdoroi. Më pas ngec në rrjetën e mbrojtësve rivalë).

Shyrrle 5,5 - "Noton" i vetmuar mes fanellave të bardha të mbrojtjes madrilene, por nuk jep asnjë sinjal dhe nuk kalon kurrë asnjë kundërshtar. Në ndeshje si këto, duhen pikërisht lojtarët me klas që të bëjnë diferencën. Ai nuk mundi.

Trajneri Heking 5 - Deklaroi se skuadra e tij do luante pa frikë, por lojtarët e "gënjyen". Pas 17 minutave, skuadra e tij mezi po merrte frymë dhe gjendej në disavantazh 2-0. Pas golit të tretë, ekipi dukshëm nuk besoi më.