e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reagon Partizani: Aleancat na mohuan kalimin ne Evrope

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reagon Partizani: Aleancat na mohuan kalimin ne Evrope

Vendi i pestë në renditjen e përgjithshme është arritur si shkak i aleancave të ekipeve që luftuan për Ligën e Europës. Ky ka qenë edhe reagimi zyrtar i klubit të Partizanit për humbjen e objektivit sezonal. “Rikthimi në elitën e futbollit vendas pas një mungese 4-vjeçare e konfirmoi ekipin si protagonist të padiskutueshëm në aktivitetin kombëtar, në përfundim të të cilit zuri vendin e 5-të në klasifikimin e përgjithshëm duke grumbulluar 53 pikë. Në transfertën e fundit ndaj Lushnjës fituar më rezultatin 2 – 4 skuadra arriti të koleksiononte fitoren e 15 sezonale, e cila gjithsesi nuk rezultoi e mjaftueshme për të arritur objektivin primar, kupat e Evropës. Aleancat e paralajmëruara prej disa javësh të rivalëve të drejtpërdrejt në luftë për këtë objektiv, i mohuan të kuqve të ishin këtë sezon një prej ekipeve që do të përfaqësonin Shqipërinë në Kupat e Evropës.

 Takimet e javës së 33-të konfirmuan ekipin 15-herë kampion të vendit përfundimisht jashtë Europës, megjithatë kjo skuadër rezultoi e vetmja e cila luajti ndershmërisht duke sfiduar të gjithë aktorët e sivjetshëm në një garë ku mjaft skuadra nuk treguan impenjimin maksimal sportiv, sidomos përgjatë fazës së tretë. Partizani e mbyll kampionatin me 15 fitore, 8 barazime dhe 10 humbje me golavarazhin e përgjithshëm 33 gola të shënuar dhe 26 të pësuar duke rezultuar në këtë mënyrë dhe skuadra me mbrojtjen më të fortë të kampionatit dhe pësuar numrin më të paktë të golave përgjatë 33 javëve. Mbyllet një sezon i vështirë i gjatë dhe shumë i lodhshëm, por që gjithsesi duhet të na bëjë krenar pasi konkurruam ndershmërisht dhe respektuam kampionatin nga fillimi e deri në javën e fundit . Një falenderim i veçantë shkon  për të gjithë tifozerinë tonë të zjarrtë e cila me përkushtimin dhe mbështetjen e treguar përgjatë gjithë sezonit mbetet lojtari ynë i 12 të”, ka qenë deklarata zyrtare e klubit Partizani, deklaratë që nuk ka dhënë përgjigje mbi deklaratën e tifozëve të kuq pas ndeshjes me Lushnjën, të cilët kërkuan largimin e drejtuesve. Sipas tifozëve, afrimi i lojtarëve jo cilësorë në dy merkatot sezonale ishte dhe shkaku i dështimit. Zbardhet tratativa, Sampaio “shkes” për Rrakllin Pas largimit të Hasan Likës nga drejtimi i skuadrës, Partizani ka tentuar afrimin në stol të trajnerit të kombëtares aktuale të femrave, Altin Rraklli. Burimet konfidenciale kanë bërë të ditur në këtë mënyrë edhe emrin që u la enigmë nga ish-trajneri i të kuqve, Marcio Sampaio në intervistën ekskluzive për gazetën. Pas largimit të Hasan Likës nga drejtimi i skuadrës së kuqe, drejtuesit janë vënë në lëvizje për të afruar një trajner. Në garë kanë qenë dy trajnerë, një i huaj dhe një shqiptar.

Për këtë të fundit në tratativa ishte caktuar portugezi Marcio Sampaio, që në atë kohë ishte përgatitës atletik për të kuqtë. Edhe pse u përpoq me të gjitha mënyrat që bindte Rrakllin për të drejtuar të kuqtë, ky i fundit nuk dha përgjigje pozitive. Nga ana tjetër dështuan edhe tratativat me trajnerin e huaj. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Partizanit zgjodhën Sampaion në drejtim të ekipit, kërkesë që u pranua menjëherë nga portugezi. Ish-trajneri nuk ka pranuar për arsye etike që të bënte të ditur emrin e trajnerit për të cilin ishte futur si ndërmjetës. Por burimet konfidenciale pranë klubit bënë të mundur që emri i trajnerit të bëhej i ditur për gazetën. Bëhet fjalë për trajnerin aktual të kombëtares së femrave, Altin Rraklli. Sipas burimeve, emri i njohur i futbollit shqiptar nuk pranoi të merrte drejtimin për shkak të arsyeve të ndryshme.

Dëmtim i rëndë për Armando Sadikun

Me shumë mundësi, Shqipëria dhe Xhani De Biazi ka humbur një element mjaft të rëndësishëm për eliminatoret e ardhshme. Armando Sadiku ditën e shtunë ka pësuar një dëmtim shumë të rëndë, që do ta mbajë larg fushave të lojës gjashtë muaj. Sulmuesi elbasanas u aktivizua në ndeshjen e Zyrihut ndaj St Gallen, por nuk ka qëndruar për shumë kohë në fushën e lojës sepse u detyrua të largohej mes lotëve dhe dhimbjeve të forta.

Analizat e detajuara kanë treguar se Armando Sadiku do të qëndrojë larg fushave të blerta për gjashtë muaj dhe rikthimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë.   Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamente dhe sigurisht që ky rikuperim kërkon një kohë të gjatë. Dëmtimi i tij vjen në një moment shumë të papërshtatshëm, sepse ai mund të ishte një nga lojtarët në të cilët De Biazi duhet të mbështeste sulmin për eliminatoret e ardhshme. Tani, tekniku italian duhet të tentojë të gjejë zëvendësuesin e tij dhe tani prezenca e Besart Berishës në kombëtare është domosdoshmëri. Mbetet për t’u parë nëse trajneri italian do ta bindë sulmuesin me origjinë nga Kosova që të vijë në kombëtaren shqiptare.