Rama dhe mungesa ndaj Portugalise: Pa klub, ftesa nuk kishte kuptim!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Valdet Rama do të jetë një nga mungesat më të rëndësishme të kombëtares shqiptare në ndeshjen e parë të eliminatoreve të Euro 2016 ndaj Portugalisë. Mungesa e një klubi deri në ditët e fundit të merkatos, ka bërë që mesfushori me tipare ofensive të mbetet larg formës më të mirë sportive për këtë ndeshje, ku çdo lojtar duhet të jetë medoemos në maksimumin e tij për të zbritur në fushën e lojës përballë një prej ekipeve më të forta europiane në dekadën e fundit. Vetë 26-vjeçari është i ndërgjegjshëm se mungesa në kombëtare është logjike, siç e ka pranuar gjatë prezantimit të djeshëm në radhët e Mynih 1860, klubit të Bundesligës 2 ku ai shpreson të bëhet protagonist dhe të ngjitet me të në elitën e futbollit gjerman.
“Ftesa në kombëtare nuk ka asnjë kuptim, për sa kohë që nuk stërvitesh për një periudhë të gjatë me një klub”, pranoi futbollisti shqiptar në konferencën e prezantimit të tij. “Fillimisht ishte planifikuar që të shkoja me kombëtaren për stërvitje. Por pastaj bëra stërvitje individuale, ushtrime të shumta dhe kalova shumë kohë në sallën e forcës. Fizikisht jam mirë dhe kam filluar ta ndiej veten mirë me topin në këmbë, ajo që më mungonte më shumë”, tha lojtari, i cili beson se do të bëhet shumë shpejt përsëri pjesë e kuqezinjve në vazhdimin e eliminatoreve të Euro 2016. “Në kombëtare argëtohemi shumë. Nga ne duhen pritur surpriza, pasi si zakonisht do të shtojmë gazin gjatë eliminatoreve”, deklaroi Rama, i cili para mediave gjermane nuk ka ngurruar të tregojë se beson te shanset e kombëtares, ndonëse kjo e fundit gjendet në një grup me skuadra shumë të forta.
Sigurisht, lojtari 26-vjeçar ka folur edhe për karrierën e tij, gjatë së cilës ka ndërruar shumë ekipe. Mesfushori ka kaluar në akademitë e SSV Hagen, Hasper SV, SF Ostrish-Iserlohn, Rot-Vais Esen dhe në moshën 18-vjeçare e pa veten pjesë të Volfsburgut, por ku ishte thuajse e pamundur për të, të çante në ekipin e parë. Ndaj në vitin 2008, ai iu bashkua skuadrës së Bundesligës 2, FC Ingolshtad. Paraqitjet e tij aty zgjuan interesin e klubeve të mëdha, me Mynih 1860, që asokohe i bëri një ofertë, por në fund Rama firmosi për Hanoverin. “Asokohe nuk bëhej fjalë për shumat që mund të fitoja, por për perspektivën e aktivizimit në Bundesligë”, pranoi Rama, i cili gjithsesi nuk ia doli mbanë të shpërthente në ekipin e parë.
“Mua më afroi në skuadër Ditmar Heking, por ai u largua dhe më pas trajnerë u caktuan fillimisht Andreas Bergman dhe pastaj Mirko Slomka. Ata kishin një filozofi tjetër loje”. Në atë periudhë ndodhi edhe ngjarja tragjike e vetëvrasjes së portierit të Hanover, Robert Enke. “Për ne, lojtarët e rinj, ishte një situatë jashtëzakonisht e vështirë. Ishte shumë e vështirë të përqendroheshim te futbolli”, shpjegoi 26-vjeçari, i cili pas një viti iu bashkua Orebro në kampionatin suedez e më pas Real Vajadolid në Spanjë. Por tani ai duket se ka vendosur të provojë shanset e tij te Mynih 1860, duke shpresuar që në dy vitet e kontratës së lidhur me këtë klub, të arrijë të kthehet në Bundesligë, këtë herë si protagonist.
“Këtu jam ndier menjëherë mjaft mirë. Do të debutoj me këtë skuadër në miqësoren e së premtes ndaj Nacional, por objektivi është të jem gati për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj St. Pauli më 14 shtator. Deri atëherë do të jap maksimumin që trajneri të më besojë një vend në formacion. Kam luajtur zakonisht në të majtën, por mund të luaj edhe në pozicione të tjera. Shpejtësia ime? Le të themi se jam i shpejtë në metrat e parë, pastaj kam edhe unë probleme”, ka komentuar me humor Rama në konferencën e tij të parë si futbollist i Mynih 1860.
Kontrata
Rama nënshkroi me Mynih 1860 një kontratë dyvjeçare, ndërsa pritet që të sigurojë një fanellë titullari në radhët e kësaj skuadre
Kombëtarja
Mesfushori me tipare ofensive ka luajtur 12 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, duke gjetur tri herë rrugën e rrjetës në këto takime