Rama: Loro Boriçi, stadium me parametrat e UEFA-s dhe FIFA-s
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kryeministri Edi Rama ka qenë dje në Shkodër ku ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe një ndër temat e diskutuara ka qenë edhe ajo e stadiumit "Loro Boriçi".
Pavarësisht se numri një i qeverisë është pritur me protesta nga banorët rreth stadiumit dhe ata të nën Shkodrës, të cilët kanë probleme me përmbytjet. Ai nuk ka ngurruar të premtojë se stadiumi i ri do të jetë me parametrat që kërkon UEFA dhe FIFA.
Në daljen e tij para mediave, kryeministri ka bërë me dije se do të ketë prishje të shtëpive dhe bizneseve në rast se do të kërkohet një gjë e tillë, por kompensimi i tyre do të bëhet përpara shembjes së objekteve.
"Nuk bëhet fjalë për një stadium që i përket vetëm Shkodrës. Bëhet fjalë për një stadium që u përket të gjithëve. Ne po ndërtojmë një stadium me të gjithë parametrat që kërkon UEFA e FIFA, një stadium ndërkombëtar.
Prandaj, nëse do të kërkohet nga UEFA e FIFA që shtëpitë të prishen, një gjë e tillë do të ndodhë. Por të gjithë që do të dëmshpërblehen para prishjes së objekteve", ka thënë ndër të tjera kryeministri Rama, duke premtuar se dëmshpërblimi i banorëve do të bëhet me vlerën e tregut.
Kjo nuk është hera e parë që banorët, të cilët kanë ndërtuar banesat e tyre afër stadiumit, të dalin në protestë për këtë çështje, duke kërkuar një zgjidhje. Më parë është thënë se nuk do të ketë shembje të objekteve, por një gjë e tillë tashmë s'është më e sigurt. Stadiumi "Loro Boriçi" është i dyti që po ndërtohet me parametra europianë në vendin tonë pas atij të Elbasanit.