e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rally Albania, madheshtia e nje eventi sportiv

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rally Albania, madheshtia e nje eventi sportiv

Për dhjetë vite me radhë në Shqipëri Rally Albania ka qenë një nga kompeticionet më të mira sportive që organizon vendi ynë në këto vite post-komuniste. Dhe në të vërtetë është një garë e bukur, që çdo vit bëhet edhe më tërheqëse. Në vitin e saj të dhjetë, mund të ndihemi krenarë për potencialin që ofroi kjo maratonë e bukur sportive. Ka zgjatur tetë ditë, pra më shumë se një javë dhe sigurisht që ka qenë një punë e lodhshme, për Edvin Kasimatin dhe Juliana Dhamon, por një punë për të cilën me siguri ndihen krenarë, sepse ky kompeticion ka bërë të ndihen krenarë edhe shumë shqiptarë të tjerë.

Fillimet dhe suksesi i dhjetë viteve eksperiencë

Rrally Albania ka filluar të organizojë gara që në vitin 2004, dhjetë vjet më parë. Tani në Rrally Albania ka më shumë se 20 pilotë shqiptarë dhe më shumë se 40 të huaj, duke e rritur në mënyrë të jashtëzakonshme popullaritetin dhe pasionin për “baltën”, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në fillimet e veta Rally Albania përfshinte gara në terren të vështirë, por jo mbi 2000 kilometra siç ka qenë në garat e këtij viti. Vitin e kaluar garuesit kanë përshkruar 1750 kilometra, ndërsa këtë vit mbi 2000 kilometra, duke mbuluar kështu 70 për qind të vendit tonë në gara. Në edicionin e nëntë morën pjesë 130 pilotë, ndërsa këtë vit, në edicionin e tij të dhjetë ky kompeticion ka mbedhur bashkë më shumë se 170 garues nga 23 vende të ndryshme të botës.

Itinerari i këtij viti

Pas fillimit të prologut, që ishte Tiranë – Petrelë – Tiranë, ditën e martë, me datë 10 qershor, të gjithë garuesit janë nisur drejt Peshkopisë në një etapë që nuk ishte më e vështira. Në qëndrimin dy-ditor në Peshkopi, një ndër destinacionet më të vështira ishte ajo e Lurës, që në 10 vitet e zhvillimit të garës për të gjithë ishte surprizë dhe thuajse e panjohur. Pas Peshkopisë, itinerari më i vështirë i garuesve do të ishte ai  drejt Orikumit. Rruga e përshkruar, sipas drejtorit ekzekutiv të garës, Edvin Kasimati, është edhe ndër më të gjatat e më të vështirat. Pas një dite të lodhshme, garuesit do të ndalojnë në Orikum, për të pasur një tjetër itinerar në Gadishullin e Karaburunit, ku edhe i afrohen fundit të garës. E nga fundi i javës, pra të premten garuesit nga Radhima janë nisur për në kryeqytet, ku mbrëmja i priste në një event për ndarjen e çmimeve. Sigurisht që, përpara se të ndahen çmimet duhet të lajmë njëherë motorët dhe makinat, që për një javë rresht janë përlyer plot pasion në baltën shqiptare.

Fituesit

Në garat e zhvilluara nga data 6 e deri më 14 qershor në të gjithë Shqipërinë, më të mirët u shpallën Renti Sina dhe Andrea Cosentino. I pari është shqiptar dhe ka fituar në kategorinë e makinave, ndërsa i dyti italian dhe ka fituar në kategorinë e motorëve. Renti Sina nuk është për herë të parë fituesi i kësaj gare. Ai fiton për të tetin vit radhazi, Rally-n në Shqipëri. Ka fituar me një diferencë prej 34 minutash e 31 sekondash kundrejt vendit të dytë të cilin e meritoi plotësisht Dervishaj. Ndërsa italiani Andrea Cosentino, fituesi i garave me motorë ka pasur konkurrencë të fortë me Ondrej Klimciw. Në garën prej 2100 kilometrash, Cosentino ka fituar me një diferencë shumë të vogël, prej 79 sekondash.

Turizmi dhe të huajt

Sipas të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve që e kanë vizituar vendin tonë, përfshirë këtu edhe terrenet e vështira, vendi ynë ka një potencial të madh për turizmin dhe organizimin e këtyre garave automobilistike. “Me ardhjen e pilotëve të huaj, vendi ynë ka përfituar materialisht. Unë nuk jam përpjekur të bëj këtë gjë, por jam përpjekur të sjell në Shqipëri pilotë me të cilët konkurrenca bëhet më e fortë. Ka nga ata që vijnë çdo vit, ndoshta edhe sepse i pëlqen që ta shëtisin Shqipërinë”, na thotë për “Shekullin”, njëri nga garuesit më të mirë në Rrally Albania. Renti, i cili është kampion prej vitesh në Shqipëri na tregon gjithashtu se niveli që këta të huaj sjellin në Rrally-n shqiptar i bën pilotët tanë të përgatiten akoma edhe më mirë. Në këtë mënyrë, edhe ai ka dëshirë më të madhe për të garuar.

Renti Sina, kampion prej tetë vitesh

Rentian Sina, një djalë relativisht i ri për suksesin që ka. Ai është kampioni absolut i Rrally Albania dhe i vetmi shqiptar që ka marrë pjesë në një aktivitet si “Dresden Breslau”. Ky aktivitet zhvillohet çdo vit në Gjermani dhe është aktiviteti i dytë për nga rëndësia, pas garave “Dakar”. Garat Rrally Albania kanë filluar të organizohen që në vitin 2006. Që prej atij viti, Renti është shpallur gjithnjë kampion. Vetëm në vitin 2011, ai nuk mundi të rrëmbente kupën e kampionit të Shqipërisë. Dhe kjo, jo sepse ai nuk mundi, por sepse ai ndodhej në garën e madhe të Gjermanisë. Është i vetmi shqiptar që ka garuar disa herë në Bullgari, Kroaci, Greqi, Maqedoni dhe Gjermani. Dhe gjithnjë ka qenë pjesë e podiumit të fituesve. Zotëron më shumë se 55 kupa. Renti është 27 vjeç. Në garazh ka 7 makina, ndonjë prej tyre me baltë dhe të çmontuara, që  kushtojnë një Zot e di se sa. Udhëtimet e tij, edhe atëherë kur nuk ka gara, rrallëherë qëllojnë të jenë të qeta dhe pa rreziqe. Ato janë shëtitje ekstreme, shëtitje nga ato ku makina të mbushet me ujë dhe baltë. “Pothuajse asnjëherë nuk shkoj në shtëpi i pastër. Unë nuk jam nga ata djemtë e mirë që nuk i hapin punë mamit”, na thotë Renti. Po përtej të gjitha rreziqeve, shpenzimeve, kohës së harxhuar, mundit apo netëve pa gjumë, ai vazhdon ende të shëtisë me një makinë kaba të madhe dhe aspak elegante, madje edhe në mes të qytetit. Përtej të gjitha vështirësive, që mund të kalojë ai dhe makina, Renti përsëri do ta drejtojë makinën drejt baltës. Shvaczi Team është emri i ekipit të tij. Në shqip do të thotë Ekipi Shpirt. Emrin e këtij ekipi e ka vendosur ko-pilotja e Rentit. Ajo quhet Dolly Wittberger. Është austriake, por di shumë mirë shqip. Ka gjashtë vjet që jeton këtu dhe që kujdeset për Rentin. E pasionuar pas këtij sporti ekstrem, Dolly nuk e ka të vështirë të zhytet në baltë për të provuar terrenin ku do të kalojë makina.

Julinda, themeluesja dhe shpirti i terrenit të vështirë

Julinda Dhame ka qenë organizatorja e të gjitha evenimenteve në Rally Albania. Ka vetëm pak kohë që është shkëputur prej saj, pasi tashmë zotëron postin e drejtoreshës së Agjencisë së Turizmit. Tashmë ajo nuk është më pjesë e ekipit të Rally-t për shkak të pozicionit që ka. Juli është shprehur vetë se i është dashur ta braktisë, pasi ka konflikt interesi me vendin e punës, por njëkohësisht është shprehur se si pilote do të jetë pjesëmarrëse në garat e Rally-t dhe jo më si organizatore. Julinda është 38 vjeçe dhe nuk të jep këtë përshtypje. Ajo ka përfunduar studimet për shkenca mjedisi dhe aktualisht është emëruar si drejtoreshë pranë Agjencisë së Turizmit. Para emërimit të saj në këtë agjenci ajo ka qenë organizatore e garave me motorë dhe makina të Rally Albania-s. Në muajin dhjetor ajo e nisi postin e saj në agjenci me këmbë të mbarë, pasi organizoi Panairin e Parë të Turizmit Malor në Shqipëri. Në këtë panair Agjencia Kombëtare e Turizmit shpalosi 45 mundësitë e turizmit malor në vend. Panair ky në të cilin ishin të ftuar restorante, hotele, biznese si dhe shoqata sportive. Ndërkohë, “Rally Albania” është kthyer në një nga aktivitetet ndërkombëtare që po sheh gjithnjë e më shumë popullaritet. Evenimentet e saj preferohen nga  ata sportistë që duan të përjetojnë aventura dhe të shohin vende të reja nëpërmjet garave me makina apo dhe motorë. Ky aktivitet ndihmon në pasqyrimin e një imazhi sa më të mirë të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë po i tregon botës disa nga bukuritë e rralla të natyrës shqiptare. Gjatë viteve të shkuara ky eveniment nuk është mbështetur nga institucionet përkatëse të turizmit. Ky fakt është pranuar dikur edhe nga vetë ish-organizatorja Julinda Dhame.

Rally tashmë e ka bërë Shqipërinë pjesë të arenës ndërkombëtare në një sport mjaft emocionues. Me ndërrimin e pushteteve dhe me investimet që do të bëhen, shumë shpejt, në fushën e turizmit ky lloj evenimenti do të ketë më shumë mbështetje për të promovuar edhe më mirë bukurinë turistike të Shqipërisë. Tashmë që Juli nuk është më pjesë e Rallyt kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdojë t’i mbështesë, por si drejtoreshë e Agjencisë së Turizmit ajo do të jetë zëri i tyre dhe jo vetëm. Julinda ka treguar gatishmërinë e saj në promovimin e vendit, duke treguar se ne kemi një bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Këtë gjë ajo e thotë me shumë bindje pasi ka vizituar dhe ka shkelur vende, të cilat janë të pashkelura dhe të paprekura, jo vetëm nga turistët, por as nga investimet e mundshme.