Qosja: Shqiperia u clirua nga nje makth
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Akademik Rexhep Qosja ka thënë se, ndërrimi i pushtetit në Shqipëri ishte i pashmangshëm dhe këtij ndërrim të pushtetit duhet t’i gëzohen të gjithë shqiptarët. Ai ka thënë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk varen nga politika.
“Ndërrimi i pushtetit në Shqipëri ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ky ndërrim, mjerisht shumë i vonuar, përfaqëson interes të madh kombëtar. Dhe, ky ndërrim duhet të gëzojë çdo shqiptar që e do Shqipërinë dhe që i do shqiptarët kudo qofshin ata. Ai ishte një antikulturë politike, shtetërore dhe shoqërore, që mendjen time e ka ngarkuar me çudinë: si e duroi populli shqiptar kaq gjatë këtë antikulturë. Ai ishte makthi i Shqipërisë dhe, për fat, Shqipëria u çlirua prej tij”, ka thënë Qosja për gazetën Shqip.
Sipas tij marrëdhëniet Shqipëri - Kosovë nuk varen nga politika, transmeton “Epoka e re”. Se si e sheh Edi Ramën kryeministër, ai tha se para së gjithash duhet të jetë e qartë se ndërtimi intelektual, politik e kulturor i Edi Ramës ndryshon rrënjësisht prej ndërtimit të paraardhësit të tij.
“Edi Rama është, para së gjithash, intelektual e intelektuali nuk e kupton politikën si mjet për sundimin e njerëzve, por si mjet për shndërrimet e përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike, shtetërore, kulturore e të tjera. Edi Rama, siç është parë edhe në fushatën që bëri Partia Socialiste, e ka mësuar shumë mirë politikën por, natyrisht, politikën moderne, që aq shumë i duhet sot Shqipërisë. Për mua është e sigurt se Edi Rama me bashkëpunëtorët e tij dhe me aleatët e tij në politikën shqiptare do të fusë atë që aq tragjikisht ka munguar në këtë politikë: do të fusë kulturën, kulturën si vlerë, si traditë e si përditësi, kulturën si vlerë kombëtare dhe si vlerë universale, kulturën në politikë dhe kulturën në jetë...”, ka thënë Qosja.