e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Qeveria jep 600 mln leke per stadiumin 'Ruzhdi Bizhuta' e 'Parkun Olimpik'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Qeveria jep 600 mln leke per stadiumin 'Ruzhdi Bizhuta' e 'Parkun Olimpik'

Kryeministri Edi Rama ka çelur sot dritën jeshile për të financuar në dy projekte të rëndësishme, stadiumi "Ruzhdi Bizhuta" në Elbasan dhe "Parku Oplimpik" i Tiranës. Në mbledhjen e qeverisë, u vendos dhënia e pot 600 milionë lekëve nga buxheti i shtetit dhe 44 milionëve nga fondi i kontingjencës.

Fondi prej 1.3 mln eurosh i akorduar nga FSHF-ja, UEFA dhe qeveria shqiptare pritet t'i ndryshojë tërësisht pamjen e stadiumit në Elbasan. Projekti parashikon ndërhyrje rrënjësore, ku, ndër të tjera, do të krijohen edhe mjedise për tifozët gjatë pushimit të ndeshjeve.

Përveç pjesës së tribunave, ku numri i tifozave pritet të jetë rreth 11 mijë dhe tapetit të blertë, një ndryshim rrënjësor do të pësojnë edhe dhomat ku skuadrat përgatiten para ndeshjeve. Në impiantin e ri, çdo gjë është menduar deri në detaj, nga tualetet e deri të siguria e tifozëve në rast rreziku.

Risia e këtij stadiumi është se për herë të parë hyrja në të do të jetë në mënyrë elektronike. Prozhektorët e rinj do të jenë sipas kritereve të UEFA-s, me forcë ndriçimi 1600 luks, ndërkohë që në pjesën anësore të fushës nuk do të mungojë edhe ekran i madh elektronik i cili kap shifrën e 100 mijë eurove. Rikonstruksion total do të pësojë edhe parkingu rreth stadiumit, kapaciteti i të cilit duhet të jetë 400 makina gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. Në këtë stadium do te luhen edhe ndeshjet e skuadrave që kalojnë në turet e kupave të Europës.

Ndërsa Kompleksi Sportiv i Agjencisë së Shërbimeve të Sporteve, i njohur si kompleksi “Dinamo”, brenda 4 viteve të ardhshme do të transformohet në atë që do të quhet “Parku Olimpik i Tiranës”. Në këtë kompleks do të ndërtohet edhe një fushë olimpike, me një sipërfaqe prej rreth 13 mijë m2, me një pistë atletike të standardeve ndërkombëtare. Në një fazë të mëvonshme do të shihet me prioritet mundësia e ndërtimit të një pishine në dispozicion të sportistëve.