e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Qeveria e re, negociatat Rama-Meta drejt mbylljes, ja ministrite qe merr LSI

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Qeveria e re, negociatat Rama-Meta drejt mbylljes, ja ministrite qe merr LSI

Janë drejt finalizimit negociatat mes dy forcave kryesore të koalicionit PS-LSI për ndarjen e posteve ministrore në qeverinë e ardhshme. Ndërsa ranë dakord për strukturën e qeverisë, ditët e fundit dy krerët, Rama dhe Meta duket kanë zhvilluar negociata intensive sa i përket posteve ministrore që do të marrë LSI në kabinetin e ardhshëm qeverisës. Burime pranë këtyre forcave kanë konfirmuar se negociatat janë drejt fundit dhe në orët në vazhdim mund të bëhet dhe finalizimi i tyre.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se tashmë është e sigurt që LSI do të drejtojë Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, Ministrinë e Transporteve, dhe atë të Integrimit. Me shumë mundësi LSI do të drejtojë edhe Ministrinë e Bujqësisë. Ndërkohë që negociatat kanë zgjatur për disa ministri të tjera që konsiderohen dhe të dorës së parë. Kështu, mes PS e LSI po diskutohet dhënia e një prej tri ministrive të dorës së parë, siç është ajo e Drejtësisë, Arsimit dhe Mbrojtjes. Burime nga PS kanë bërë të ditur se LSI ka kërkuar Ministrinë e Arsimit, por çka nuk është pranuar nga socialistët, të cilët kërkojnë që këtë sektor ta drejtojnë vetë meqenëse ai përbën dhe një nga fushat kyçe ku ata kanë premtuar reforma të thella. Madje përflitet se në këtë post PS ka përcaktuar edhe drejtuesin e saj, Ben Blushin. Ndaj në shkëmbim, PS duket se i ka ofruar LSI-së Ministrinë e Mbrojtjes.

Ofertë e cila duket se nuk e ka kënaqur kreun e LSI-së, i cili si kundërpërgjigje ka bërë një kërkesë tjetër: që kësaj force t’i jepet për të drejtuar Ministrinë e Drejtësisë. Kështu përcaktimi i njërës prej këtyre tri ministrive për LSI-në do të jetë objekt i diskutimeve mes Metës e Ramës edhe në orët në vijim. Ndërkohë që ata kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe gjatë 48 orëve të fundit, megjithëse Rama që nga e diela ka qenë në një vizitë në Selanik. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se përcaktues në ndarjen e posteve ministrore kanë qenë edhe emrat që ka ofruar LSI për drejtues të tyre. Vetë Rama duket se ka përcaktuar një pjesë të madhe të emrave që do drejtojnë ministritë që PS do t’i mbajë për vete. Në korridoret e selisë rozë kanë qarkulluar si emra të mundshëm për t’u bërë ministra emrat e Ditmir Bushatit te Ministria e Jashtme, Shkëlqim Canit te Ministria e Financave, Mimi Kodhelit te Ministria e Ekonomisë, ndërsa Vali Bizhga te Ministria e Shëndetësisë.