e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Qerimaj shpallet Kampion Europe, Godelli nenkampion

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Qerimaj shpallet Kampion Europe, Godelli nenkampion

Peshëngritja shqiptare ka vendosur diktatin e saj në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Izrael, duke siguruar një rezultat të jashtëzakonshëm, me Erkand Qerimajn që është shpallur Kampion Europe, duke lënë në vendin e dytë Daniel Godellin vetëm falë peshës trupore më të ulët.

Në kategorinë 77 kilogramë, dy shqiptarët kanë qenë protagonistët absolutë të mbrëmjes, duke rivalizuar me njëri-tjetrin për medaljen e artë në dygarësh. Në shkëputje, ishte Godelli që u paraqit më mirë, duke realizuar peshën 157 kilogramë, kundrejt 155 kilogramëve të Qerimajt. Megjithatë, falë peshës trupore, medalja e artë në këtë stil i shkoi armenit Martirosian, që realizoi po peshën 157 kilogramë, duke i lënë Godellit medaljen e argjendtë.

Por gara e vërtetë mes dy sportistëve shqiptarë ka filluar në stilin e shtytjes, që është arma më e fortë e tyre. Ndërsa të gjithë kundërshtarët eliminoheshin njëri pas tjetrit, Godelli siguroi podiumin me realizimin e tentativës 186 kilogramë, ashtu si Qerimaj që realizoi pa vështirësi peshën 188 kilogramë pak minuta më vonë. Me largimin nga gara të Martirosian, ekipi shqiptar e kuptoi se mund të arrinte një rezultat të jashtëzakonshëm në dygarësh.

Pengesa e vetme ishte rusi Unanian, i cili realizoi peshën 191 kilogramë në këtë stil dhe mori përkohësisht kreun e renditjes në dygarësh. Por Godelli, pasi dështoi në tentativën 191 kilogramë, u kthye në pedanë dhe realizoi atë prej 192 kilogramësh, duke marrë kryesimin e klasifikimit në këtë stil dhe në dygarësh, me një total prej 349 kilogramësh. Nga ai moment, filloi spektakli i Qerimajt, i cili realizoi në mënyrë bindëse provën e tij 193 kilogramë për të siguruar një medalje të artë në këtë stil.

Shkelja e syrit e shtangistit shkodran, ndërsa mbante lart shtangën, shkaktoi ilaritet në sallë, ndërsa tregoi qartësisht se Qerimaj do të tentonte t’i rrëmbente medaljen e artë bashkëkombësit të tij, që kishte realizuar në total 1 kilogram më shumë. Të ndërgjegjshëm se Qerimaj kishte një peshë trupore më të ulët se ajo e Godellit dhe se në rastin e një totali të barabartë, shkodrani do të dilte fitimtar, në shtangën e tij u shtua vetëm 1 kilogram. Qerimaj u ngjit në pedanë dhe e realizoi edhe këtë provë të tretë prej 194 kilogramësh, duke marrë medaljen e artë edhe në dygarësh. Si rrjedhojë, Qerimaj siguroi dy medalje të arta dhe një të bronztë në Europian, ndërsa Godelli siguroi tre medalje të argjendta.

E pafat në konkurrimin e djeshëm ka qenë shtangistja shqiptare Romela Begaj, e cila pretendonte për medalje në Europian. 27- vjeçarja arriti të dilte e katërta në stilin e shkëputjes, duke ngritur peshën 100 kilogramë, vetëm 3 kilogramë larg zonës së medaljeve, ndonëse duhet theksuar se realizoi vetëm provën e tretë. Begaj u kthye të synonte medaljen në stilin e shtytjes, por që në provën e parë, në peshën 115 kilogramë, ajo është dëmtuar, duke braktisur e përlotur pedanën dhe të gjithë garën.