e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Qerimaj: Edhe une mund ta braktis Shqiperine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Qerimaj: Edhe une mund ta braktis Shqiperine
Erkand Qerimaj edhe një herë tjetër kërcënon se do të largohet në drejtim të një tjetër shteti, i cili do të mund t’i krijojë kushte më të mira për të ushtruar aktivitetin si peshëngritës, gjë e cila do t’i jepte më shumë mundësi për të arritur rezultate të niveleve të larta në kompeticionet ndërkombëtare. E duket se tashmë ai po vlerëson idenë e ecjes në gjurmët e mundësit Elis Guri: “Nuk është çudi që edhe unë ta braktis Shqipërinë”.

Elisi u shpall kampion bote në peshën 96 kilogramë në mundjen greko-romake, pasi mposhti suedezin Xhimi Lindberg në Botërorin e Stambollit. Mundësi shqiptar, që prej dy vjetësh garon për Bullgarinë, ka fituar direkt të drejtën e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike, duke triumfuar në Kampionatin Botëror të Turqisë. Menjëherë pasi doli kampion bote, mediat mbajtën një qëndrim thjesht pasqyrues, por në rrjetet sociale pasoi një sulm i ashpër i opinionit shqiptar, i cili nuk nguroi ta quante madje edhe “tradhtar”. Por ja cilat ishin arsyet që e shtynë mundësin e njohur të largohej: Vetëm dy vjet më parë Guri ishte një nga sportistët më të mirë shqiptarë, pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike të Pekinit.

Por, mosplotësimi i kërkesave ekonomike nga ana e Federatës Shqiptare të Mundjes, e cila në vitet e fundit ka qenë tërësisht e përçarë dhe me dy presidentë, bënë që ai të kërkonte "strehë" diku tjetër. Veç kësaj, ngjarjet në Asamblenë e KOKSH-it, në fund të vitit 2008, ku ai ishte një nga protagonistët kryesorë të sherrit të plasur në sallë duke i dalë në krah Esat Ademit, e bënë Gurin jo fort të dashur në ambientet e larta sportive, të udhëhequra nga “kundërshtarët” e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Bullgaria i ofroi menjëherë një pasaportë dhe mundësi shkodran ia shpërbleu, duke i dhënë medaljen e bronzit në Europian pak muaj më parë dhe vetëm pak ditë më parë, medaljen e arit në Botërorin e Turqisë. Fakti që Guri është përbuzur dhe ofenduar në vendlindjen e tij, pas arritjes së suksesit të fundit, në mbrojtje të tij ka menduar të dalë peshëngritësi i njohur, Erkand Qerimaj. “Suksesin e Elis Gurit askush nuk duhet ta përçmojë pse ai doli kampion bote me Bullgarinë.

Thjesht e bëri këtë zgjedhje, pasi këtu askush nuk u kujtua për të, askush nuk i ofroi asgjë”, - theksoi peshëngritësi i njohur në arenën ndërkombëtare, falë rezultateve të mira. Por më pas Qerimaj mendon të shtrojë rrugën e një largimi të mundshëm të tij. “Edhe unë para pak vitesh e kam pasur një ofertë të tillë, por nuk e kam pranuar, - janë fjalët e Qerimajt për faqen online të lajmeve ‘Shkodra.com’. - Ka qenë zgjedhja ime, me shpresën se një ditë gjërat do të rregulloheshin në vendin tim, por deri në këto momente që flasim asgjë nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht, një gjë e tillë, pse jo, mund të ndodhë edhe me mua; mund të vendos të largohem për të garuar për një tjetër shtet. Jemi shumë pranë medaljeve botërore, por për të arritur aty duhet patjetër ndihma e shtetit. Kjo aktualisht mungon këtu, prandaj ne ndihemi të zhgënjyer dhe detyrohemi të bëjmë zgjedhje, që ndoshta nuk i duam”, - rrëfeu peshëngritësi në fund të prononcimit të tij.