'Qemal Stafa', hapet gare e dyte pas 3 vitesh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nuk ka më dyshime. Sërish tender konçesionar për stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. E gjithë gara e nisur vite më parë është rrëzuar dhe sërish do të ketë një garë të re. Gjithçka ka ardhur menjëherë pas ndryshimit të vendimit të Qeverisë, për përfshirjen në këtë sipërmarrje edhe të biznezit vendës apo të huaj, Qendra Sportive Kuq e Zi ka shpallur tenderin për të përzgjedhur një partner në bashkëpunim me të cilin të bëjë të mundur realizmin e ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar të Shqipërisë, që do të ndërtohet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”.
“Kompania kuqezi është e interesuar të përzgjedhë një partner në bashkëpunim me të cilin të bëjë të mundur realizmin e ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar të Shqipërisë që do të ndërtohet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”. “Qendra Sportive Kuq e Zi” sha fton subjektet e interesuara të paraqesin ofertat e tyre për tenderin e hapur për “Projektimin, prishjen dhe ndërtimin e kompleksit te stadiumit të ri kombëtar të Shqipërisë” që përfshin, projekt-idenë e stadiumit të ri dhe të hapësirave të shërbimit përkatëse, metodologjinë dhe afatet kohore për projektin e detajuar të kompleksit të stadiumit të ri, kostot e ndërtimit të kompleksit të stadiumit te ri kombëtar (sipas projekt-idesë së paraqitur) dhe modelin financiar të zbatimit të projektit.
Ofertat duhet të dorëzohen, përpara ose deri në orën 11:00 të datës 29 shkurt 2016. Ofertat në mënyrë elektronike nuk lejohen. Ofertat që dorëzohen më vonë se ora dhe data e përcaktuar këtu nuk do të pranohen”, thuhej në njoftimin e FSHF-së. Stadiumi i ri kombëtar “Arena Kuqezi”, parashikohet të ketë me parametra krejt bashkëkohorë. Kostoja e ndërtimit të tij parashikohet të shkojë në shumën rreth 60 milionë euro, ku pjesëtar i kësaj sipërmarrjeje FSHF-Qeveri, pritet të jetë edhe biznesi vendës apo i huaj. Pritet që ndërtimi të nisë në qershorin e verës së ardhshme kur kombëtarja do të jetë në Francë 2016 dhe sipas projektit “Arena Kombëtare” do të jetë gati në harkun e tre viteve.
Ky stadium është parashikuar të jetë 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Sigurisht një projekt i tillë ka parashikuar që veç funksionit si stadium, kjo godinë do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe facilitete të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj. Ajo që bie në sy në anën veriore të stadiumit është një kullë e lartë, ku pjesa e sipërme do të shërbejë si restorant ekskluziv i stadiumit dhe një studio televizive transmetimi. Këto janë detajet e stadiumit të vjetër. Por për stadiumin e ri ende duhet të presim. Kujtojmë se vite më parë u mbyll procesi i parë i përzgjedhjes së stadiumit të ri “Qemal Stafa. “Sh.A.Kuqezi” përzgjodhi asokohe si kompaninë fituese italianët e “Serenissima”, por më pas marrëveshja u prish dhe po kërkohet një kompani e dytë për ndërtimin e stadiumit.
36.000 metra katrorë do të shtrihet stadiumi “Qemal Stafa” dhe do të njihet si pikëmbështetje e marrëdhënieve ndërmjet boshllëkun të madh të parkut dhe strukturës së konsoliduar ekzistuese të Tiranës.
Ndryshimet
Stadiumi kombëtar “Arena Kuqezi”, duhej të ishte përuruar para katër vitesh. Po mesa duket, u desh kualifikimi i kombëtares në finalet e “Francë 2016”, që “qeveria” të lëvizte dhe të hapte dritën jeshile për ndërtimin e tij, pikërisht aty ku ndodhet sot “Qemal Stafa”. Kostoja financiare për ndërtimin e stadiumit kombëtar “Arena Kuqezi” mendohet të shkojë rreth 50-60 milionë euro sipas specialistëve dhe koha për përfundimin e tij, duke llogaritur nisjen e prishjes së “Qemal Stafës” në qershor korrik 2016, e të jetë fundi i vitit 2018. Konçesionari i stadiumit, që me gjasa mund të jetë po firma ndërtuese, të shtojë pjesën e mbetur të financimit për ndërtimin e “Arenës Kuqezi”, e cila parashikohet të përurohet në fund të vitit 2018.