Pse ndahet si me thikë torta e lojës kuqezi?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cilin të besojmë, presidentin Duka apo trajnerin De Biazi? Pas ndeshjes miqësore me Austrinë, shefi dhe tekniku kanë qenë në pole të ndryshme gjykimi.
I pari ka vënë dorën mbi plagën e ndeshjes, panikun kolektiv të "shqiponjave" në 45 minutat e para, kurse Xhani ka pikasur vetëm dy gabime, dy dhurata të çmuara për golat, pastaj ka bekuar ndërrimet, sikur formacionin e pjesës së parë t'ia kishte bërë dikush tjetër. Shefi, edhe pse ishte artizani i katapultimit në Europian, fill pas kësaj miqë- soreje me damkën e dyfytyrësisë, ka guxuar të thotë se "Akoma nuk jemi gati për në Europian".
Një frazë e fortë kur e thotë zoti Duka, porse... një gënjeshtër e paskrupullt kur e thonë të tjerët. Ka ndodhur edhe herë të tjera, kur "torta" e lojës të ndahet në dy gjysma, njëra si e prishur dhe tjetra... me shije, por këtë herë jemi bindur se porta e shtëpisë nuk ka dryn. Trajneri, i cili pretendon se na ka përsosur artin e mbrojtjes, ka marrë një shuplakë nga heronjtë e repartit lider, nga ata që kur gabojnë... "spiunojnë" edhe njëri-tjetrin.
Fjalët e Mavrajt se Loriku i paska thënë: "Lëre topin se je vetëm", janë fare pak për të shpjeguar mjegullën e gjysmës së keqe të ndeshjes. Po të pyesësh çunat e Kombëtares për nivelin e harmonisë në ekip, të krijohet përshtypja se ke pasur fatin të takosh familjen më të lumtur, e cila gabimisht i ka munguar Europës.
Sapo i shikon në fushë, reparte që u mungon konfidenca dhe futbollistë që asfiksohen nga loja e ajrit, kupton se e vërteta është shumë larg asaj që predikohet. Austria e trajnerit Koler, një ekip pa yje, por me shumë befasi, duhet falënderuar për bamirësinë që treguan në këmbimin e pjesëve, veç nuk duhen besuar në ato që thonë.
"Shqipëria e guximshme, s'e prisnim që do të na sulmonte", fjalë me shumë sheqer të trajnerit të tyre, si për shtuar dozën e verbimit në anën tonë. Të gjithë e pamë se goli i Lenjanit ishte si një vetëtimë në qiell të pastër dhe loja sulmuese e Kombëtares vjen si një ilaç me pikatore, ndërsa trajneri na këshillon të qajmë kartonët e Kaçes.
Një gjykim që nxit iluzionin se kemi humbur për arsyen e vetme se mbetëm me 10 veta. Nëse nuk duam që të turpërohemi në Europian, harrojeni pjesën e dytë ku "shkëlqyem", por mjekoni plagët e një 45-minutëshi që të ndjell frikë.
