e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Prokuroria gjermane: Si u trukua ndeshja Vllaznia-Rapid

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prokuroria gjermane: Si u trukua ndeshja Vllaznia-Rapid
Katër ditë para startit të “Euro 2012″-ës, Gjykata Rajonale e Bohumit në Gjermani ka nisur një proces tjetër të trukimeve të ndeshjeve të vitit 2009. Në procesin e radhës, në qendër të hetimeve qëndron Liga e Evropës, si kampionati më i lakmuar nga mafia e trukimeve para tri viteve. Në total qëndrojnë 35 ndeshje nën hetim, të cilat shihen si të manipuluara. Prej ditës së hënë, në Bohum po shqyrtohen edhe dy ndeshje të Ligës së Evropës 2009, FK Slavija Sarajevo kundër Alborgut, si dhe SK Rapidi i Vjenës kundër KF Vllaznia Shkodër, e cila përfundoi 5-0.

Të dyshuarit nën hetim Mes 6 mafiozëve të marrë në pyetje, i dyshuari kryesor është Milan Sapina, vëllai i madh i kroatit Ante Sapinës, i cili u dënua nga gjykata me 5.5 vite burg dy vite më parë, pasi u shpall fajtor në ndeshjet e hetuara së bashku me shokun e tij Marijo Cvrtak. Në Gjykatën e Bohumit është paditur edhe Dragan B., një ishlojtar i skuadrës belge, Union Royal Namur. 31- vjeçari flitet se ka ofruar dhe ka marrë para në shkëmbim të trukimeve të ndeshjeve.

35 ndeshje nën shqyrtim Në listën e Gjykatës së Bohumit janë renditur 35 ndeshje me hije trukimi, të cilat janë ndikuar nga mafia e manipulimeve në vitin 2009.

Rapid-Vllaznia 5-0 Ndeshja e raundit të dytë në eliminatoret e Ligës së Evropës 2009 mes Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë (5-0), sipas dëshmive të dhëna, rezulton si e trukuar nga mafia. Pre e këtij manipulimi thuhet se ka rënë ish-portieri i saj kohe (Olti Bishani), të cilit i ishte besuar porta nga ish-trajneri Hasan Lika. Sipas kallëzimit, apo dëshmisë së dhënë nga një dëshmitar që ka qenë në stadium, portierit i patën premtuar 10 mijë dollarë, në qoftë se ai do të pësonte në pjesën e dytë më shumë se tre gola. Si përfundim Vllaznia humbi 0-5 dhe në pjesën e dytë portieri pësoi 4 gola, të mjaftueshme për të fituar bastin.

Dëshmitari Edhe pse ende nuk është vërtetuar, njëri prej të akuzuarve në këtë hetim ka dëshmuar se ka qenë i pranishëm në stadium në datën 16 korrik 2009 në ndeshjen e Rapidit të Vjenës kundër Vllaznisë dhe ka marrë miratimin e portierit në fillim të ndeshjes, pas një gjesti të paracaktuar. Shenja Nga dëshmia rezulton se portieri nga frika e trukimeve nuk ia kishte miratuar bastin përfundimisht para ndeshjes. Si shenjë për të miratuar manipulimin, ai në fillim të ndeshjes duhet “të bënte gol” me shishen e ujit, çka nënkuptonte se e kishte miratuar akordin. Në këtë proces fillestar, gjashtë prej të akuzuarve nuk kanë folur ende. Çështjet pritet të vijojnë shqyrtimin më 2 korrik.