e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Prishja e 'Qemal Stafes' kthehet ne nje telenovele me shume pjese

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Prishja e 'Qemal Stafes' kthehet ne nje telenovele me shume pjese
I nisur për t’u ndërtuar në gusht të vitit 1939 dhe i inauguruar në tetor të 1946-s, stadiumi “Qemal Stafa” për rreth 66 vjet u shndërrua në arenën e futbollit shqiptar, ku u luajtën sfidat më të rëndësishme dhe me emocionuese. Por prej më shumë se një viti, të gjithë ata që kalojnë pranë tij, kthejnë kokën me keqardhje, pasi është në krye të listës për t’u prishur. Vërtet mund të konsiderohet një monument i historisë së futbollit tonë, por ngushëllohemi me faktin se mbi gërmadhat e tij është parashikuar një stadium i ri dhe shumë modern. Ky ishte premtimi i bërë nga Kryeministri Sali Berisha pak më shumë se një vit më parë, kur në krah kishte edhe presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, dhe atë të FSHF-së, Armand Duka.

Impianti i ri ishte parashikuar të përurohej për 100-vjetorin e Pavarësisë. Por në ditën e jubileut të madh festiv, jo vetëm që nuk ishte ndërtuar i riu, por ende nuk ishte prishur i vjetri, që është edhe hapi i parë për zbatimin e projektit modern për të ardhmen. Afatet e prishjes së “Qemal Stafës” janë vënë dhe janë kaluar, dhe stadiumi tashmë “gërmadhë” qëndron ende në këmbë. Madje ende askush nuk e thotë me siguri se kur mund të prishet.

Por kur të gjithë prisnin prishjen e stadiumit, tashmë pronë e FSHF-së, kjo e fundit po investon në përmirësimin e tapetit të fushës, pasi parashikohen për t’u luajtur ndeshje të kombëtares dhe të kampionatit. Këtë e ka konfirmuar ish-sekretari i FSHF-së, Eduard Prodani, aktualisht anëtar i bordit drejtues të shoqatës “Kuqezi”, të krijuar enkas për t’u marrë me ndërtimin e stadiumit të ri.

“Po është e vërtetë, ne po rregullojmë tapetin e fushës së ‘Qemal Stafës’, u shpreh Prodani, sepse për sa kohë që nuk është vendosur përfundimisht afati për prishjen e tij, mund ta shfrytëzojmë për ndeshjet e Kombëtares dhe të kampionatit”. Në fakt, investimi është i pjesshëm, pasi thjesht po bëhen riparime të pjesëve të dëmtuara. Ndeshja më e afërt që pritet të luhet në të, do të jetë miqësorja Shqipëri-Gjeorgji, më 6 shkurt.

Prodani sqaron edhe ndryshimet që janë bërë në projektin e stadiumit të ri. “Ai projekt kishte parasysh një kapacitet rreth 33 mijë vende, i cili, nga studimi i fizibilitetit që u bë me ndërhyrjen e FIFA-s rezulton disi kapacitet jo ekonomik dhe i panevojshëm. E thënë ndryshe, futbollit shqiptar nuk i duhet një stadium aq i madh dhe ekonomikisht është disi i papërballueshëm nga financat që kemi në dispozicion.

Ky projekt nga specialistët u vlerësua të paktën 100 mln euro, për të cilat duhet të jemi ëndërrimtarë që të shpresojmë që t’i gjejmë në këto kushte, me mundësitë që mund të përballojë federata”, tha Prodani. Megjithatë për prishjen e stadiumit të vjetër, askush nuk mund të flasë me siguri. Ish-numri dy i FSHF-së ka theksuar se në mars ose në prill do të bëhet edhe tenderi për firmën që do të prishë këtë impiant, në një kohë që në total, shifra apriori që do të kushtojë për stadiumin e ri mbetet te kuota e 60 milionë eurove. Por a i ka këto para FSHF? E sigurt që jo. “Kohë krize, – pranon Prodani, por do të mundohemi. Qeveria kishte premtuar 10 milionë euro për stadiumin e ri, por deri tani, nuk duket asgjë”. Në fakt, qeveria në buxhetin e vitit 2012, kishte parashikuar vetëm 300 milionë lekë për stadiumin e ri, një shifër që është shumë larg premtimit.