Poshterimi i Brazilit ne Boteror shoqerohet me akte vandale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Akte vandaliste, vjedhje dhe dyqane të shkatërruara në disa qytete braziliane. Kjo është ajo që ndodhi pas humbjes poshtëruese të “Seleçaos” në gjysmëfinale kundër Gjermanisë.
Rreth 20 autobusë të agjencisë private “Vip” janë përfshirë nga flakët në brendësi të një garazhi në Sao Paolo. Tre autobusë të tjerë të linjës janë sulmuar nga njerëz të panjohur dhe të maskuar, duke u vënë flakën. Drejtuesit e agjencisë më pas kërkuan ndihmën e policisë.
Vandalët më pas shënjestruan një dyqan me prodhime elektronike në Jug të Sao Paolos. Me ardhjen e policisë, agjentët arrestuan dy persona dhe katër adoleshentë që po largoheshin me mallin e grabitur. Incidente janë verifikuar edhe në Belo Horizonte, ku numërohen 12 të plagosur dhe 8 të arrestuar, si dhe në Salvador në shtetin e Bahias.
Në Rio de Zhanejro policia ka arrestuar gjashtë të rinj që kishin grabitur disa tifozë të huaj, të cilët kishin marrë pjesë në ndeshjen e “Fan Fest” të FIFA-s në Kopakabana.