e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Portugalia qan penalltite, Spanja ka fatin e kampiones

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Portugalia qan penalltite, Spanja ka fatin e kampiones
Spanja shkon në finale, falë penalltive, ndërsa Portugalia e Kristiano Ronaldos e lë plot dëshpërim këtë kompeticion, për t’u rikthyer në shtëpi krenare dhe e denjë, sidomos me paraqitjen që bëri në gjysmëfinale ndaj kampionëve të kontinentit në fuqi. 120 minuta lojë plot emocione dhe ankth janë zhvilluar mes iberikëve dhe luzitanëve, por që nuk kanë mjaftuar as për një gol, as për të përcaktuar skuadrën e parë finaliste të këtij Europiani.

Prandaj, janë dashur gjuajtjet e penalltive, që kampionët e Europës dhe të Botës në fuqi të vijonin më tej, duke prerë të parët biletën e finales së 1 korrikut. Nuk mund të vazhdojë dot më tej Portugalia e Kristiano Ronaldos, edhe pse ka zhvilluar një ndeshje për t’u vënë në kornizë, sidomos në aspektin taktik, për 90 minutat e kohës së rregullt. Luzitanët e Bentos kanë arritur ta cmontojnë thuajse tërësisht Spanjën, duke e vënë nën një presion të paprovuar më parë, prej 4 vitesh, që kur iberikët triumfuan në “Euro 2008” e deri më tani.

Mirëpo, formacioni i Del Boskes ka arritur ta mbajë të paprekur rrjetën e vet, ndërsa në dy shtesat me nga 15 minuta është tjetërsuar, për mirë, është rritur shumë dhe ka krijuar rastet e duhura për gol, raste që i kanë munguar totalisht për 90 minuta. Në këto momente duket lodhja fizike te portugezët, që kanë shpenzuar shumë, megjithatë arrijnë të “mbijetojnë” e t’u falen edhe ata penalltive. Në këtë “specialitet” Kasijas ka pritur një gjuajtje të kundërshtarit, ndërsa një tjetër, e Bruno Alveshit, ka goditur shtyllën e tij. Për spanjollët do të gabonte në penalltinë e parë Xabi Alonso, ndërsa të tjerët do të tregoheshin të saktë, derisa Fabregasi “vulosi” kualifikimin e të tijve dhe mbylljen këtu të kapitullit “Portugali” në këtë Europian.