Platini i ve syrin FIFA-s: Blatteri ka mbaruar, jo mandat tjeter
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në ditën ku e gjithë vëmendja ishte fokusuar në ndeshjen hapëse të Botërorit 2014 midis Brazilit dhe Kroacisë, presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka lëshuar një deklaratë sulmuese ndaj kreut aktual të FIFA-s, Sepp Blatter. Platini ka dal kundër Blatter, duke mos përjashtuar mundësinë për të qenë një prej kandidatëve që do të kërkojë të drejtojë institucionin më të lartë të futbollit. Platini ka thënë se është koha për një frymëmarrje të re për organizatën botërore të futbollit dhe ka shtuar se Blatter është tërhequr nga fjalët e tij se nuk do të kandidojë sërish për kreun e FIFA-s. “Nuk e mbështes më Blatter-in, ka mbaruar. E njoh për një kohë të gjatë dhe e pëlqej, por nuk jam në favor të një mandatit tjetër për të. E kam mbështetur në vitin 1998, por nuk e mbështes në 2014. Dhe në të ardhmen nuk do të ndryshoj qëndrim për Blatter. Ja kam thënë këtë gjë atij. Mendoj se FIFA ka nevojë për frymëmarrje”, ka deklaruar Platini.
Sepp Blatter është zgjedhur në krye të FIFA-s në vitin 1998, duke u rizgjedhur edhe tri herë të tjera në krye të institucionit më të lartë të futbollit. Përgjatë 16 vitesh rrugëtimi i Blatter nuk ka qenë i lehtë, pasi ai shpeshherë është përballur me akuza të rënda për korrupsion. Përzgjedhja e Katarit si vend ku do të organizohet Kupa e Botës e vitit 2022, është konsideruar tashme si një gabim i madh i FIFA-s dhe mjaft personalitete të botës së futbollit janë kthyer kundër Blatter për zgjedhjen e kryer. FIFA ka nisur një hetim për të vërtetuar ose jo akuzat për korrupsion në blerjen e votave për t’i dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Botërorit. Megjithatë, shanset që Sepp Blatter të sigurojë një mandat të pestë si kreu i FIFA-s në zgjedhjet që do të mbahen vitin tjetër janë shumë të vogla. Blatter është përballur me deklarata të zemëruara nga liderët e futbollit europian, për t’u tërhequr në kongresin e FIFA-s në Brazil. Në lidhje me këtë situatë Blatter ka thënë: “Ishte gjëja më fyese që kam përjetuar në të gjithë jetën time”. Kur Platini u pyet se përse ai ka zgjedhur të mos mbështesë Blatterin, ai është përgjigjur: “Në 2011-ën ai ka deklaruar se ky do të ishte mandati i tij i fundit në krye të FIFA-s”.