Plasin gjobat te Vllaznia, Cungu mbledhje urgjente me ekipin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu, ka thirrur dje pasdite ekipin në një mbledhje. Në këtë takim është zhvilluar një analizë me tone të larta nga ana e teknikut pas humbjes shokuese me Teutën.
Tekniku mësohet të mos ketë kursyer asnjë prej lojtarëve në analizën e tij dhe në këshillimet dhe kryesisht tërheqjen e vëmendjes për atë që kanë zhvilluar në fushën e lojës në humbjen me Teutën. Ndër më të kritikuarit ka qenë malazezi i qendrës së mbrojtjes Stefan Cicmil.
Ai jo vetëm ka dëmtuar ekipin në takimin me Teutën, por për marrjen pa justifikim të kartonit të dytë të verdhë që u konvertua në të kuq nuk do të jetë as në përballjen me Partizanin. Po ashtu kritikat nuk kanë munguar edhe për titullarët e tjerë. Në atë mbledhje nuk ka pasur vetëm analizë dhe kritika, por trajneri ka komunikuar për lojtarët edhe gjoba, të cilat do të shoqërojnë futbollistët pas kësaj paraqitjeje aspak të pranueshme përballë durrsakëve.
Trajneri
Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, tekniku Armando Cungu, në një prononcim për "Panorama Sport", është shprehur:
"Natyrisht që nuk mund ta kalonim aq lehtë humbjen me Teutën dhe për këtë arsye zhvilluam një mbledhje me skuadrën. Ajo që ra në sy ishte se asnjëri nga futbollistët nuk ishte në gjendje të shpjegonte shkaqet e kësaj humbjeje.
Në këto kushte, sigurisht që dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Si në aspektin personal të secilit futbollist, por edhe si ekip (për rezultatin e kësaj paraqitje krejtë- sisht të papranueshme) u kam propozuar drejtuesve të klubit që secili prej futbollistëve të gjobitet. Ata ma kanë mbështetur këtë propozim dhe kuptohet që Cicmil do të marrë gjobën më të rëndë për veprimin e bërë, shoqëruar me daljen me karton të kuq (i panevojshëm) nga fusha.
Ashtu siç kërkojnë që klubi të jetë korrekt me ta si me rrogat, ashtu edhe me premiot që kanë marrë, ashtu duhet të marrin edhe gjobë për mosimpenjim dhe për një paraqitje të papranueshme në fushën e lojës. Për këtë arsye, shpresoj që kjo gjobë të jetë efektdhënëse", ka deklaruar Armando Cungu për "Panorama Sport".
Trajneri i skuadrës kuqeblu e pranoi edhe publikisht se skuadra e tij ka bërë një nga paraqitjet më të dobëta në përballjen kundër Teutës. Ashtu siç ai u shpreh pas takimit se asnjëri prej lojtarëve nuk ka zbatuar detyrat, të njëjtën gjë e ka saktësuar me detaje përballë çdo lojtari në mbledhjen dhe analizën e hollësishme që ka bërë.