Plaku çon polakët në KAS, e detyronin të shpërndante gazeta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sebino Plaku duket se është në stadin final të zgjidhjes së problemeve me ish-ekipin polak të Slaskut.
Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh dhe sorollatjesh, por edhe presionit psikologjik që klubi polak ka ushtruar mbi sulmuesin e Skënderbeut, tashmë i takon CAS-it të vendosë në lidhje me detyrimet e pashlyera që ka klubi polak ndaj sulmuesit të Skënderbeut.
Sebino Plaku mësohet se ditën e premte ka qenë në Luzernë, atje ku së bashku me shoqërinë që po merret me çështjen e tij FIFPro, "Unioni Ndërkombëtar i Futbollistëve Profesionistë", kanë hedhur në gjyq klubin e Slaskut. Plaku kërkon të gjitha dëmshpërblimet e veta në lidhje më këtë çështje.
Në një prononcim zyrtar për rastin e sulmuesit të Skënderbeut, përmes sajtit të saj "fifpro.org", ka dhënë në mënyrë të detajuar të gjitha metodat që përdoreshin nga klubi polak për të mërzitur, dëmtuar dhe shkatërruar karrierën e sulmuesit shqiptar.
Sikundër referon FIFPRo, gjithçka nisi pasi Sebino Plaku nuk pranoi në vitin 2014 që klubi t'i ulte kontratën e tij nga 14 mijë euro që përfitonte në muaj në vetëm 5 mijë euro, në një kohë kur Slasku ishte në vështirësi financiare, duke refuzuar madje edhe ofertën e sulmuesit që pranonte që pagën e tij vjetore ta ulte në masën 25%.
Pas kësaj situate, gjithçka mori një rrjedhë tjetër. "Futbollisti u urdhërua që të stërvitej tri herë në ditë për gati 15 orë stërvitje për gjashtë ditë në javë. Ai për një kohë të gjatë stërvitej i vetëm, madje duke u regjistruar me një kamera që të mos neglizhonte stërvitjen e urdhëruar nga klubi.
E sikur të mos mjaftonte kjo, u urdhërua nga klubi që të bënte detyra poshtëruese si shpërndarja e gazetave të klubit në një qendër tregtare, të stërvitej me fanella të vjetra dhe të supervizonte stërvitjen e moshave të vogla.
E gjitha kjo për ta shkatërruar psikologjikisht", raporton FIFPro. E, në përfundim të gjithçkaje, pasi mori 40 mijë euro gjobë nga klubi për vonesë në stërvitje, Federata Polake e Futbollit, pa i dhënë asnjë ndëshkim klubit pasi këta të fundit pretendonin se Plaku nuk ishte në lartësinë e duhur për të luajtur më në ekipin e parë të Slaskut.
E gjithë kjo vuajtje e çoi sulmuesin e Skënderbeut që ta hedhë në gjyq ekipin polak duke iu drejtuar KAS-it dhe kërkuar si një kompensim, pasi sipas tij Slasku ka kursyer 200 mijë euro duke mos respektuar kontratën që kishte firmosur me Plakun.