Pezullohen trajneri i Juves dhe Romes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Romës, Rudi Garcia dhe ai i Juventusit, Masimiliano Alegrim, janë pezulluar nga Seria A për sjellje të pahijshme gjatë dy ndeshjeve të zhvilluara javën e fundit të kampionatit. Teknikut francez, Rudi Garcia, i ka kushtuar shtrenjtë reagimi i dhunshëm ndaj një pjesëtari të forcave të sigurisë në stadiumin “Marassi” në Gjenovë. Gjykatësi sportiv në Federatë Italiane të Futbollit ka vendosur ta pezullojë 2 javë francezin, për sjellje kërcënuese ndaj pjesëtarit të forcave sigurisë në stadiumin "Marassi". 50 -vjeçari do ta ndjekë nga tribuna superndeshjen e javës së 16 të Serisë A, Roma - Milan, por edhe ndeshjen e javës pasardhëse me Udinezen.
Por masat ndaj pjesëtarëve të skuadrës verdhekuqe nuk përfundojnë këtu. Mbrojtësi grek Holebas, për gjestin e shëmtuar ndaj publikut vendas në momentin kur po dilte nga fusha, pezullohet një ndeshje, çka do të thotë se Garcia nuk do ta ketë në dispozicion ndaj kuqezinjve. Gjithashtu edhe trajneri i Juventusit, Massimialiano Allegri, është pezulluar për një javë për ofendim ndaj zyrtarëve të ndeshjes në fund të përballjes me Sampdorian në "Juventus Stadium".
Edhe trajneri bardhezi do ta ndjekë nga tribuna takimin me Kaliarin në transfertë. Federata Italiane ka marrë masa disiplinore edhe ndaj klubit të Milanit, i cili u gjobit me 15 mijë euro për kore ofenduese ndaj kundërshtarëve napolitanë, ndërsa futbollisti i Kievos, Botas pezullohet tri ndeshje për fyerje ndaj gjyqtarit të takimit me Interin.