E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pese peshengrites ne Olimpiaden, Londer 2012

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pese peshengrites ne Olimpiaden, Londer 2012
Përveç faktit të pjesëmarrjes së katër peshëngritësve për Shqipërinë në Olimpiadën, Londër 2012, pretendohet dhe një vend i pestë për peshëngritjen që do të përfaqësojnë  Shqipërinë. Këtë e deklaron për gazetën “Shekulli”, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes, Ilir Karaj i cili shpjegon se Shqipëria në Olimpiadat e mëparshme është përfaqësuar më dy peshëngritës dhe në Olimpiadën së sivjetshme do të marrim pjesë me katër të tillë.

Por sipas tij ne pretendojmë të fitojmë edhe një vend për një peshëngritëse femër që do ta dërgonte në pesë numrin tyre. Sipas sekretarit të përgjithshëm të peshëngritjes Federata e  Peshëngritjes Shqiptare aktualisht ka krijuar kushte të përshtatshme për stërvitjen e peshëngritësve. “Federata e  peshëngritjes ka krijuar kushtet e përshtatshme dhe kualitative për stërvitjen e peshëngritësve në përgatitjen e tyre në tërësi. Fshati Shtërmen në Cërrik është një nga rezidencat e stërvitjes në të cilat kryejnë stërvitjen disa peshëngritës”, tha ai.

Gjithashtu sipas tij disa sportistë kryejnë stërvitje  individuale në disa shtete. “Hysen Polaku po kryen stërvitje individuale në SHBA, Romela Bega në Greqi dhe Fetie Kasa në Bullgari, shpenzimet e të cilave i ka kryer FSHP-ja”, nënvizoi ai. I pyetur nga gazeta Shekulli për synimet me të cilat kombëtarja e peshëngritjes do të përfaqësohet në Olimpiadën Londër 2012, Kraja tha se “synimet e peshëngritjes shqiptare në këtë eveniment do të jenë vendet e larta në renditje dhe sidomos zona e medaljeve e cila ka qenë qëllimi kryesor me të cilin jemi nisur dhe në Olimpiadat e tjera”.

Sa i përket emrave të veçantë të peshëngritësve të cilët kanë dhënë premisat për rezultate pozitive, Kraja thotë se nuk do të ishte normale të thonim emra, pavarësisht se kemi disa të dhëna se cilët janë peshëngritësit të cilët pretendojnë, sepse nuk janë përcaktuar ende emrat e tyre dhe kjo do të krijonte klimë konfuze. “Është kampionati Europian i peshëngritjes që do të zhvillohet më 6-16 prill në Antalia të Turqisë, i cili do të përcaktojë dhe peshëngritësit të cilët do të pretendojnë dhe njëkohësisht renditja sa më e mirë ekipore do të na rezervonte dhe një vend tjetër, kësaj radhe për një peshëngritëse femër”.

Ekipi i peshëngritjes do të marrë pjesë në kampionatin Europian të Antalias më synimin e arritjes së rezultateve në rang ekipor për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes me pesë peshëngritës, e cila në vetvete do të përbënte një rast të veçantë dhe shpresues në këtë Olimpiadë. I pyetur nëse ka krijuar problem për FSHP-në fakti që KOKSH ende nuk e ka zgjedhur kryetarin e saj, Kraja u përgjigj se “e mira do të ishte që kryetari i KOKSH-it të ishte zgjedhur edhe pse ne nuk kemi hasur probleme në organizim, pasi kemi pasur marrëdhënie të mira organizative me sekretariatin e KOKSH-it”.

Peshëngritja Shqiptare është sporti më rezultativ i Shqipërisë me të cilin kemi fituar medalje në pothuajse të gjitha disiplinat e kampionateve europiane dhe botërore për të rritur dhe të rinj, por ajo që duhet theksuar është se qëllimi primar ende nuk është arritur, marrja e medaljes në rang Olimpiade.