Pesë humbje radhazi, Byzhyti: Rikthehemi kundër Shkumbinit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas pesë humbjeve radhazi, Lushnja pret të rikthehet te fitorja këtë javë, kur në stadiumin "Roza Haxhiu" do të luajë kundër Shkumbinit.
Alban Byzhyti, një nga futbollistët kryesorë të lushnjarëve, në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur se Lushnja ka projektuar gjashtë pikë për dy ndeshjet e një- pasnjëshme me Shkumbinin dhe Turbinën.
"Ekipi, duke filluar që sot (dje), po përgatit një ndeshje të rëndësishme. Alternativa jonë e vetme është fitorja. Është e padiskutueshme që Lushnja do të kërkojë tri pikët. Madje, duke i marrë gjërat me radhë, në synojmë gjashtë pikë në dy ndeshje radhazi që kemi në shtëpi", u shpreh fillimisht qendërmbrojtësi lushnjar, i cili në muajin e ardhshëm do të mbushë 33 vjeç. Kur duhen edhe tre takime për të mbyllur fazën e dytë të kampionatit, lushnjarët kërkojnë të ruajnë vendin e pestë në tabelë për të pasur një kalendar të favorshëm për fazën e tretë.
"Ekipi synon mesin e artë të renditjes dhe për këtë duhen minimalisht shtatë pikë. Jemi të përqendruar te ndeshja me Shkumbinin për të marrë tri pikët. Jam i bindur që do të jemi në pesëshen e parë duke pasur dhe një kalendar të favorshëm për fazën e tretë, që t'u japim një mundësi edhe lojtarëve të rinj që të luajnë dhe të tregojnë vlerat e tyre", përfundoi Byzhyti, i cili prej disa vitesh është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës lushnjare. Më parë lojtari polivalent ka luajtur për Shkumbinin dhe Tomorin.
Përgatiti: Alban Alushi