Për Zidanin ndryshova skemën në 4-3-1-2
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Strategu italian Karlo Ançeloti njihet si një nga takticienët më të mirë në historinë e futbollit. Gjatë një interviste për sajtin "goal.com", trajneri i ardhshëm i Bajernit të Mynihut rrëfen si e ndryshoi sistemin e tij të preferuar 4-4-2, për shkak të aftësive gjeniale të Zinedin Zidanit.
Në vitin 1999, Ançeloti mori frenat e pankinës së Juventusit me idenë për të instaluar skemën 4-4-2, pa një organizator të deklaruar. Por, pasi analizoi kualitetet e lojtarëve që kishte në dispozicion, ylli francez i imponoi të ndryshonte mendim.
Ai e bëri Zizunë "trekuartist", pra barometrin e lojës së skuadrës së tij dhe kjo ishte një risi te "Zonja e Vjetër". Më vonë Ançeloti bëri të njëjtën gjë edhe te Milani, duke luajtur me 4-3- 1-2 dhe fitoi me kuqezinjtë 8 trofe në po kaq vite.
"Për mua, Zidani u bë shkak që të ndryshoja sistemin tim, pasi isha mësuar të luaja me 4-4-2. Por, më vonë, Zidanit ia gjeta vendin e duhur dhe tjetërsova modulin për të luajtur me një lojtar prapa sulmuesve.
Funksionoi shumë mirë", zbulon italiani, i cili i thur lavde trajnerit aktual të Realit të Madridit,- "Zidan ishte lojtar fantastik. Për herë të parë e njoha te Juventusi". Kujtojmë që Zidan u emërua asistent i trajnerit Ançeloti te Reali në vitet 2013-2015 dhe të dy fituan Champions-in 2014.