e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pep: S’na eliminoi Celsi, por fati

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pep: S’na eliminoi Celsi, por fati
Në katër vitet e tij në krye të Barcelonës ka fituar 13 nga 16 titujt e mundshëm që ofronte gjithë arena botërore, por mesa duket edhe madhështia e Pep Guardiolës dhe “ushtarëve” të tij perfektë duhet të përfundonte një ditë. Pasi i dorëzuan Zhoze Murinjos dhe Realit të Madridit titullin në Spanjë, dje katalanasit i dorëzuan Roberto Di Mateos dhe Çelsit finalen e Ligës së Kampioneve. Dy objektivat më të rëndësishëm të kuqebluve u dogjën, por gjithsesi ka ende një fije shprese për një festë të vogël sivjet, finalja e Kupës së Mbretit, edhe pse ajo as që mund të krahasohet me titullin dhe Champions-in. Por ashtu siç e kishin ndjellë lojtarët e Çelsit, në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri, ose ndonjëherë të tjera është fati ai që vendos, siç e mendon edhe vetë Pep Guardiola.

“Pas këtij eliminimi gjëja e parë që më vjen në mend është të përgëzoj Çelsin për lojën perfekte që bëri në mbrojtje. Pikërisht kjo vendosi fatin e kësaj gjysmëfinaleje, ne dështuam në rastet që krijuam për të shënuar dhe rivalët na ndëshkuan. Gabime teknike të mundshme? Nëse do kthehesha pas me 180 minutat e kësaj sfide, mbase do korrigjoja diçka, por tani nuk ia vlen më. Në ndeshjet e mëdha janë detajet e vogla ato që bëjnë diferencën dhe pikërisht kështu ndodhi. Gjithsesi, unë jam i qetë për të ardhmen e kësaj skuadre dhe nuk do doja t’i ndryshoja asgjë mënyrës së saj të lojës. Mbase, këtë vit nuk na takonte ne finalja. Pavarësisht se e dominuam Çelsin, në fund ishte fati ai që na nxori jashtë. Në futboll luhet ndonjëherë edhe me fatin. E ardhmja? Është e gjitha e jona, sepse unë jam i bindur që vitin e ardhshëm do të rikthehemi të fitojmë Ligën e Kampioneve dhe gjithçka tjetër për të cilën do luajmë”.