Pejic kthen Vllaznine me kembe ne toke
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu ka rimarrë kreun e klasifikimit të Kategorisë Superiore falë suksesit të rëndësishëm 3-1 në Shkodër përballë Vllaznisë vendase. Ekipi shkodran i kishte bërë një fillim mjaft të mirë kampionatit dhe kishte filluar të hidhte pretendime për titullin Kampion. Por humbja e djeshme ka kthyer me këmbë në tokë skuadrën e Canajt, që ka kuptuar se për momentin nuk është ende e kompletuar me lojtarë që në kampionatin shqiptar mund të bëjnë diferencën.
Shembulli më konkret është Pero Pejiç. Sulmuesi kroat i Skënderbeut ka qenë përsëri ekzekutuesi i Vllaznisë, ashtu si në sezonin e kaluar, duke treguar se po kalon një formë mjaft të mirë. Nëse në portën korçare koleksionoheshin disa raste të pastra shënimi të humbura nga sulmi shkodran, kroatit i ka mjaftuar një prekje për të gjetur rrjetën në rastin e parë që i është shfaqur në minutën e 29 të sfidës. Për Vllazninë kjo ishte një goditje e rëndë, duke parë edhe tifozerinë e ndezur kuqeblu që kërkonte me çdo kusht një sukses në këtë sfidë përballë kampionëve.
Vendasit nuk kishin kohë as të reagonin, pasi u ndëshkuan përsëri nga sulmuesi kroat vetëm pak minuta më vonë. Këtë radhë Pejiç ishte finalizuesi i një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Ribaj, duke dyfishuar rezultatin, pasi kaloi edhe portierin Vujadinoviç. Kjo bëri që në stadiumin “Loro Boriçi”, për shumë minuta me radhë të dëgjoheshin vetëm thirrjet e tifozerisë korçare, e cila me të drejtë festonte këtë rezultat që e ngjiti skuadrën përsëri në kreun e renditjes.
Por Vllaznia nuk u dorëzua dhe me fillimin e pjesës së dytë arriti të shkurtojë diferencën falë golit të Hajdarit. Megjithatë, entuziazmi i ekipit vendas shuhet në minutën e 60, kur Muzaka shënoi golin e tretë pas një gjuajtjeje me kokë. Mesfushori i kampionëve zgjodhi vendin më të gabuar të mundshëm për të festuar rezultatin 3-1, pasi e bëri një gjë të tillë pikërisht poshtë tribunës së ultrasve të Vllaznisë.
Këta të fundit nuk ngurruan të tregojnë se si masat antidhunë në stadium nuk kanë hyrë në fuqi ende, pasi nga shkallaret vërshoi një shi objektesh që kishte si objektiv Muzakën. As ndërhyrja e forcave të policisë nuk e qetësoi situatën, me tifozët që hodhën në fushë edhe stolat e stadiumit të qytetit të tyre. Pas dy minutave ndërprerje të ndeshjes, loja rifilloi, por me Vllazninë që tani nuk kishte më ritmin e duhur për të pretenduar të kthente fatet e këtij takimi. Edhe tifozeria shkodrane në stadium harron të mbështesë skuadrën vendase, duke kaluar 30 minutat e fundit të sfidës e përqendruar thuajse tërësisht në ofendime ndaj mesfushorit Muzaka dhe në vazhdimin e ritualit të hedhjes së objekteve në fushë. Ndaj vërshëllima përfundimtare duket se lehtëson dy ekipet, me Skënderbeun që largohet me tri pikët që e vendosin përsëri në kreun e klasifikimit dhe me Vllazninë që mundohet të evitojë telashe të tjera, duke shpresuar që “bëmat” e tifozëve të mos sjellin dënime shumë të rënda për klubin në javët në vazhdim.
Kategoria Superiore
Java 6 / Rezultatet
Laçi-Besa 1-0
23’ Vucaj
Flamurtari-Bylis 2-2
28’ Qejvani, 88’ Beqiri / 24’, 53’ (p) Gërxho
Kukësi-Partizani 0-1
77’ Thana
Tirana-Kastrioti 1-0
10’ Semedo
Lushnja-Teuta 1-1
23’ Korreshi / 53’ Xhafaj
Dje
Vllaznia-Skënderbeu 1-3
53’ Hajdari / 29’, 38’ Pejiç, 60’ Muzaka
Renditja
Skënderbeu 12 pikë, Teuta 12, Partizani 11, Vllaznia 10, Laçi 10, Bylis 8, Lushnja 8, Kukësi 7, Tirana 7, Kastrioti 6, Flamurtari 5, Besa 1.
Java 7
Skënderbeu-Laçi
Teuta-Vllaznia
Kastrioti-Lushnja
Bylis-Kukësi
Besa-Flamurtari
Partizani-Tirana